Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Faisal Ghazi Hifzi në mjediset e kësaj ambasade.
Z. Shehu i shprehu Ambasadorit falenderimet për zhvillimin e këtij takimi dhe njëkohësisht ndau me të vlerësimet e tij më të larta për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me përfaqësitë diplomatike në vend.
Z. Shehu paraqiti një ekspoze të punës së institucionit duke e vënë theksin tek rëndësia dhe zhvillimi që sjell komunikimi dhe bashkëpunimi me institucionet homologe, e në këtë kuadër, thellimi i bashkëpunimit me institucionin homolog të Arabisë Saudite do të ishte një nxitje dhe vlerë e shtuar drejt rritjes së mëtejshme të kapaciteteve profesionale dhe metodologjive të auditimit.
Ambasadori Hifzi e falenderoi z. Shehu për vizitën dhe shprehu gjithashtu vlerësimet më të larta për marrëdhëniet dypalëshe si në kuadrin institucional, ashtu edhe bilateral, ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori shprehu gjithashtu vullnetin dhe angazhimin e plotë në ngritjen e urave më të ngushta të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve homologe të auditimit.
Gjatë bashkëbisedimit, z. Shehu dhe Ambasadori Hifzi, e vunë theksin tek rëndësia dhe bashkërendimi i punës së institucioneve supreme të auditimit me organet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, dhe problematikave të tjera që këto fenomene sjellin për shoqërinë, në përgjithësi.
Në përfundim të takimit, z. Shehu dhe Ambasadori Hifzi, shprehën edhe një herë angazhimin e tyre të plotë, në vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe mundësinë e organizimit të vizitave të ndërsjella në nivel institucional.