Në kuadër të vizitës në Shqipëri për prezantimin e rezultateve të vlerësimit për administratën publike, Drejtues i programit SIGMA/OECD, z. Gregor Virant zhvilloi në datën 05.02.2025, një takim me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Arben Shehu.
Në takimin e zhvilluar në mjediset e KLSH-së u diskutua mbi sfidat aktuale në administratën publike shqiptare, duke nisur nga transparenca e institucioneve publike, rritja e llogaridhënies dhe zbatimi i rekomandimeve.
Drejtues i programit SIGMA/OECD, z. Gregor Virant, duke vlerësuar rolin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në mbikëqyrjen efektive të administratës publike, theksoi se është shumë e rëndësishme që rekomandimet e KLSH-së të zbatohen nga institucionet publike. Z. Virant tha se mbështetja për institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit do të vijojë ngushtësisht.
Kryetari i KLSH-së, z.Arben Shehu falënderoi z.Virant për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që SIGMA, si një ndër partnerët strategjikë të institucionit, i ka dhënë Kontrollit të Lartë të Shtetit jo vetëm në fushën e auditimit, por edhe në zhvillimin e kapaciteteve profesionale etj. Z. Shehu theksoi se përmes rritjes dhe sigurimit të transparencës puna e institucioneve publike do të përmirësohej.
Në takimin me Kryetarin e KLSH-së ishin të pranishëm edhe z. Timo Ligi, Përgjegjës i Programit SIGMA për Shqipërinë, si dhe z. Alastair Swarbrick, Këshilltar i Lartë i Politikave në këtë program.
SIGMA është një iniciativë e përbashkët e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Bashkimit Europian. Misioni i SIGMA-s është të mbështesë vendet kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian në reformat e administratës publike dhe kapacitetet profesionale.
