Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu paraqiti “Raportin e zbatimit të buxhetit për vitin 2024” në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
Për hartimin e raportit, KLSH është bazuar në auditimet e kryera në Ministrinë e Financave, njësitë e saj të varësisë, përgjegjëse për administrimin e të ardhurave, fondeve speciale, si dhe në rezultatet e auditimeve që i përkasin aktivitetit ekonomiko-financiar të disa njësive shpenzuese për vitin 2024, gjithsej 106 auditime.
Kryetari i KLSH-së, veçoi problematikat e konstatuara nga auditimet në zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2024, si: tejkalime afatesh ligjore në disa hallka të procesit, ndryshime të shpeshta të buxhetit fillestar përmes akteve normative, ndryshime në prioritetet e përzgjedhjes së projekteve të reja, lidhja e kontratave përtej fondeve në dispozicion, rritja e detyrimeve të borxhit tatimor dhe doganor, mangësi në administrimin e pronës dhe dhënien e saj në përdorim nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, buxheti i nënfinancuar për sektorin e shëndetësisë etj.
“Risqet fiskale mbeten të larta, duke qenë se ekspozimi ndaj ndërmarrjeve publike veçanërisht energjia është rritur për shkak të detyrimeve të ndërsjella të pashlyera dhe të parakorduara. Ndërkohë stoku i detyrimeve të prapambetura dhe çështjet gjyqësore kontingjente, po ashtu mbeten në nivele të larta. Stoku i detyrimeve deri në fund të muajit dhjetor 2024 rezulton 7.32 miliardë lekë, nga të cilat, detyrimet e qeverisë qendrore janë rreth 2.66 miliardë lekë, detyrimet e qeverisë vendore janë rreth 3.26 miliardë lekë dhe detyrimet për rimbursimin e TVSH-së janë rreth 1.4 miliardë lekë. Detyrimet faktike dhe kontingjente për vendimet e GJEDNJ-së raportohen në vlerën rreth 18 milionë euro, e cila i takon 10 vendimeve të cilat janë në tejkalim të afatit 3-mujor dhe rrezikojnë pagesa interesi për likuidim të vonuar. Ndërsa raportimet e Vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit deri në fund të vitit 2024, për detyrimet faktike dhe kontingjente paraqiten në vlerën rreth 180 milionë euro. Sa i takon kontratave koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore u konstatuan mospërputhje në plan pagesa dhe raportime, financim i fragmentuar jashtë programeve përkatëse, monitorim i pamjaftueshëm për pagesa për volume të parealizuara dhe mungesë e raportimit vjetor të performancës.”- raportoi Kryetari i KLSH-së.
Z. Shehu theksoi se misioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbetet garantimi i përdorimit me efektivitet, ekonomicitet dhe eficiencë të fondeve publike, forcimi i përgjegjshmërisë publike dhe transparencës në menaxhimin e financave të shtetit. “KLSH, gjatë ushtrimit të mandatit kushtetues dhe ligjor, nëpërmjet rekomandimeve vijon të promovojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe miradministrimin e buxhetit të shtetit, në funksion të interesit publik dhe zhvillimit të qëndureshëm të vendit”.
Fjala e plotë e Kryetarit të KLSH-së në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat