Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, me ftesë të homologut francez z. Pierre Moscovici, mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë për Institucionet Supreme të Auditimit, organizuar nga Gjykata Franceze e Llogarive në kuadër të Presidencës franceze të Këshillit të BE-së, që u zhvillua në Paris në datat 14-15 mars 2022.
Konferenca ndërkombëtare me temë “E ardhmja e Europës” kishte në fokus kryesor përballjen me krizën e pandemisë COVID-19 dhe menaxhimin e saj nga SAI’t europiane, por edhe forcimin e dimensionit dhe impaktit të punës së Institucioneve Supreme të Auditimit në garantimin e shpenzimit të fondeve për përballimin e kësaj krize dhe monitorimin me eficiencë dhe efektivitet të aksionit publik kundër COVID-19. Gjatë diskutimeve të shumta, SAI’t e ndryshëm sollën eksperiencat e tyre në zhvillimin e auditimeve për të siguruar rregullshmërinë e shpenzimeve të kryera gjatë dhe pas periudhës COVID-19.
Në punimet e konferencës, përveç drejtuesve të SAI’ve të ndryshëm ishin të ftuar edhe akademikë, profesionistë nga sektori publik dhe privat, përfaqësues të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilët diskutuan mbi të ardhmen e Europës pas krizës shëndetësore dhe ofruan opinionin e tyre mbi zhvillimet në të ardhmen.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë konferencë, Kryetari i KLSH-së zhvilloi disa takime me homologët e SAI’ve europiane, nëpërmjet të cilave u shpreh angazhimi i ndërsjellë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin institucional jo vetëm në kuadrin e anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare të auditimit, por edhe në planin dypalësh për zhvillimin e kapaciteteve të mëtejshme profesionale.
Më datë 16 mars, Kryetari i KLSH-së mori pjesë në takimin e organizuar nga OECD/SIGMA në kuadër të Rrjetit të SAI’ve të Vendeve Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE. Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte diskutimi mbi vijueshmërinë e aktiviteteve të këtij Rrjeti, prioritetet për të ardhmen dhe hartimi i një plani pune për tre-vjeçarin e ardhshëm.
Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të Gjykatës Europiane të Llogarive (ECA), si dhe Auditorja e Përgjithshme e SAI’t të Suedisë, znj. Helena Lindberg, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e institucioneve të tyre për të mbështetur Rrjetin në realizmin e aktivitetevë për të ardhmen.
Në fjalën e tij, z. Shehu paraqiti një përmbledhje të aktivitetetit profesional të KLSH-së bazuar në qëllimet bazë strategjike të institucionit, si dhe shprehu rëndësinë që kanë për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe njerëzore, vijueshmëria e organizimit të aktiviteteve në kuadrin e këtij Rrjeti.
Në kuadrin edhe të ndryshimeve rrënjësore të ndodhura në periudhën e fundit, drejtuesit e SAI’ve të Shqipërisë, Kosovës, Turqisë, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, dakordësuan dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të Rrjetit si një vlerë e shtuar në zhvillimet e kapaciteteve të institucioneve respektive.
Në përfundim, SIGMA prezantoi rezultatet e anketës së plotësuar nga SAI’t pjesëmarrëse, të cilat do të shërbejnë për hartimin përfundimtar të fushave të interesit të përbashkët, për t’u përfshirë në planin e punës tre-vjeçar.


Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu dhe Presidenti i I i Gjykatës franceze të Llogarive, z. Pierre Moscovici

Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu dhe Kryetari i SAI’t të Zvicrës, z. Michel Huissoud

Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu dhe Presidentja e SAI’t të Austrisë, njëkohësisht Sekretarja e Përgjithshme e INTOSAI’t, znj. Margit Kraker

Kryetari i KLSH-së z. Arben Shehu dhe Presidenti i SAI’t të Belgjikës, z. Philippe Roland