Banner

Kryetari i KLSH-së raportoi në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale mbi veprimtarinë e institucionit dhe zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit

Kryefaqja » Njoftime » Kryetari i KLSH-së raportoi në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale mbi veprimtarinë e institucionit dhe zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit
Kryetari

Në datë 08.07.2026, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u shqyrtua projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025”.
Gjatë mbledhjes, Kryetari i KLSH-së prezantoi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë.
Z. Shehu bëri të ditur se KLSH po zhvillon auditime mbi kontratat koncesionare dhe partneritetet publike-private (PPP), përfshirë projektin rrugor Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar, kontratën e shërbimit “Check-Up” dhe shërbimet e integruara në sallat kirurgjikale.
Në fushën e auditimeve të performancës, z. Shehu theksoi se janë trajtuar çështje me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët, si ndotja e ujërave, mbrojtja dhe siguria e digave, si dhe masat për reduktimin e varfërisë në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.Për vitin 2026, programi i auditimeve të performancës është zgjeruar me fusha të reja, si veprimtaria e HEC-eve, sistemet fotovoltaike, kontrolli i cilësisë së drithërave dhe efektiviteti i komisioneve të KEMP-it. Gjithashtu, në bashkëpunim me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Norvegjisë, KLSH po rishikon Manualin e Auditimit të Performancës, me synim përafrimin e mëtejshëm me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Edhe për fushën e Teknologjisë së Informacionit, në Programin e Veprimtarisë Audituese për vitin 2026 është përfshirë një numër më i lartë auditimesh IT, krahasuar me vitet e mëparshme. Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet homologe, KLSH është e angazhuar në disa auditime të rëndësishme të përbashkëta dhe paralele.
Pas diskutimeve, Komisioni miratoi projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025”, duke ia përcjellë atë për shqyrtim seancës plenare të Kuvendit.


E-mail zyrtar