Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, mori pjesë në punimet e Kongresit të XII të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), i cili u organizua dhe u drejtua në platformën online nga SAI i Izraelit, në datat 27-28 maj 2024.
Kongresi me temë kryesore “Ndarja e ideve – SAI më të fuqishëm” i zhvilloi punimet në dy sesione plenare pune, përgjatë të cilave u trajtuan çështje me interes për Institucionet Supreme të Auditimit, anëtare të kësaj organizate.
Gjatë sesionit të parë plenar, Kongresi aprovoi një sërë raportesh dhe dokumentesh administrative dhe financiare, strategjike dhe operative, si dhe u paraqitën nga përfaqësuesit e SAI-ve respektive, raportet mbi zhvillimin e aktiviteteve të Grupi të Punës ku KLSH është pjesë aktive si anëtare, si dhe të Qëllimeve Strategjike I, II në bazë të Planit Strategjik të EUROSAI-t 2017-2024.
Në sesionin e dytë plenar të tij, Kongresi aprovoi Planin e ri Strategjik 2024-2030, si dhe zhvilloi procedurën e votimit për zgjedhjen e Presidencës së ardhshme të EUROSAI-t për periudhën 2027 -2030 (SAI i Sllovakisë), të anëtarëve të rinj të Bordit Drejtues për periudhën 6-vjeçare (SAI-t e Italisë dhe Suedisë), si dhe për audituesit e jashtëm të EUROSAI-t, (SAI-t e Hollandës dhe Bullgarisë).
Një vëmendje e veçantë iu kushtua panelit të Inteligjencës Artificiale, si një mjet i së ardhmes edhe në fushën e auditimit, situatës në Ukrainë dhe raportit të Projekt Grupit për Mbështetjen e këtij SAI, por edhe raportimeve në kuadër të bashkëpunimit me INTOSAI-n dhe IDI-n.
Kongresi ka miratuar në përmbyllje të punimeve Rezolutën e Jeruzalemit, ku theksohet rëndësia e forcimit të bashkëpunimit dhe aktivitetit profesional të EUROSAI-t duke vënë në dukje nevojën për të vlerësuar në vazhdimësi funksionimin e kësaj organizate për të siguruar përmbushjen e nevojave dhe interesave të anëtarëve.