Banner

Kryetari dhe përfaqësues të KLSH-së zhvillojnë takim pune me ekipin e Misionit TAIEX Peer Review

Kryefaqja » Njoftime » Kryetari dhe përfaqësues të KLSH-së zhvillojnë takim pune me ekipin e Misionit TAIEX Peer Review
Kryetari

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, dhe përfaqësues të KLSH-së pritën në një takim pune ekipin e Misionit TAIEX Peer-Review, të zhvilluar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në kuadër të mbështetjes që BE po ofron për forcimin e garancive ligjore e institucionale që garantojnë pavarësinë e bankave qendrore në vendet kandidate.

Ekspertët ndërkombëtarë ndanë përvoja dhe praktika evropiane mbi funksionimin optimal të institucioneve supreme të auditimit në raport me bankat qendrore. Diskutimet u përqendruan në rolin dhe fushëveprimin e auditimeve të KLSH-së mbi Bankën e Shqipërisë, si në situatën aktuale ashtu edhe në kuadrin e detyrimeve të ardhshme të Shqipërisë pas anëtarësimit në BE, si dhe në raportin ndërmjet llogaridhënies së bankës qendrore dhe respektimit të pavarësisë së saj institucionale, funksionale dhe financiare, duke vlerësuar modelet më të suksesshme të vendeve të BE-së.

Gjatë takimit, z. Ger Bom, Këshilltar i Lartë Ligjor pranë Bankës së Holandës, dhe z. Hans Weenink, Këshilltar i Lartë për Çështjet e Bankave Qendrore, vlerësuan qartë punën, profesionalizmin dhe rolin e KLSH-së si garant institucional i transparencës dhe qeverisjes së mirë në Shqipëri, duke theksuar kontributin e rëndësishëm të auditimeve të KLSH për forcimin e integritetit dhe besimit publik në institucionet shtetërore. Kryetari i KLSH-së, z. Shehu, shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me ekspertët e BE-së dhe institucionet homologe, me qëllim integrimin e plotë me standardet evropiane të auditimit publik.

 


E-mail zyrtar