Në kuadër të aktiviteteve për planifikimin e programit të ri auditues për vitin 2026, Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi në datë 31.10.2025 një takim të hapur informues me studentë dhe pedagogë në Universitetin “Fan Noli”, Korçë.
Në takim morën pjesë Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, Sekretarja e Përgjithshme znj. Valbona Gaxha, auditues nga Departamenti i Auditimit të Institucioneve të Sigurisë, Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja, rektori i Universitetit, Prof. dr. Lorenc Ekonomi dhe ish-deputetja Enslemvera Zake.
Takimi kishte në fokus rolin e institucionit më të lartë të auditimit publik në vend, rëndësinë e bashkëpunimit me universitetet, qytetarët dhe transparencën në komunikim me publikun.
Z. Shehu vlerësoi rëndësinë që ka bashkëpunimi me universitetet dhe me qytetarët në përgjithësi. Kryetari i KLSH-së u ndal në raportin e ngushtë që institucioni ka me nevojat dhe problematikat e shoqërisë, duke theksuar se vetëm përmes dialogut të hapur dhe dëgjimit të drejtpërdrejtë të zërit të qytetarëve, mund të rritet efektiviteti i auditimeve publike.
“Ne kemi një detyrim të veçantë institucional që të jemi në një komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, me të gjitha njësitë administrative të Shqipërisë, por me Korçën kemi një detyrim tejet të veçantë. Historia e Korçës është e lidhur me themelet e shtetformimit shqiptar, historia e Korçës është e lidhur me shkronjat shqipe, me gjuhën, me kulturën, me sakrificat e të gjithë atyre njerëzve që dhanë gjithçka kishin në jetën e tyre për t’u dhënë një rrugë të denjë shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Kuptohet që detyrimet institucionale janë të ndërlidhura me nevojat dhe problematikat e shoqërisë, dhe marrja më e mirë e dijenisë për të gjitha këto nevoja mund të bëhet nëpërmjet konstatimeve të qytetarëve.”, – u shpreh Kryetari i KLSH-së.
Z. Shehu vlerësoi se universiteti është një partner i rëndësishëm në forcimin e transparencës dhe edukimit qytetar. Në takim u zhvillua një bashkëbisedim i hapur me studentët dhe pedagogët, lidhur me procesin auditues dhe vijimin e bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë.
Në fjalën e tij rektori, Prof. dr. Lorenc Ekonomi përshëndeti takimin, duke vlerësuar bashkëpunimin me KLSH-në e veçanërisht nisma të tilla mjaft të rëndësishme për të rinjtë, të cilët marrin njohuri edhe më të zgjeruara në fushën e kontrollit financiar, kontabilitetit, auditimit etj.
Ky aktivitet është pjesë e planit të takimeve që Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvillon në vijimësi në universitete të ndryshme publike të vendit me qëllim promovimin e rolit të institucionit dhe forcimin e komunikimit me grupet e interesit.