Banner

Kontrolli i Lartë i Shtetit kremton 98-vjetorin e krijimit

Kryefaqja » Njoftime » Kontrolli i Lartë i Shtetit kremton 98-vjetorin e krijimit
Kryetari

Me rastin e 98-vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, priti në një takim të përbashkët Auditoren e Përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë, znj. Vlora Spanca dhe Auditorin e Përgjithshëm të Zyrës Shtetërore të Auditimit në Maqedoninë e Veriut, z. Maksim Acevski.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar në mjediset e KLSH-së më 25 maj 2023, Kryetari i KLSH-së vlerësoi bashkëpunimin me institucionet homologe të auditimit dhe partnerët strategjikë, si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit institucional, në funksion të rritjes së kapaciteteve profesionale audituese.

Në fjalën e tij, zoti Shehu theksoi se “vizioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si ‘agjent’ i Kuvendit është në të njëjtën linjë me moton e institucioneve ndërkombëtare të auditimit, ku auditimi i jashtëm është në shërbim të mirëqeverisjes kombëtare dhe jo të qeverive. Bazuar mbi këtë vizion, veprimtaria jonë ka synuar përmirësimin e menaxhimit financiar publik. Nëpërmjet rekomandimeve jemi përpjekur jo vetëm të identifikojmë problematikat, por edhe të kontribuojmë në parandalimin e fenomeneve me impakt negativ në financat publike”.

Auditorja e Përgjithshme e ZKA-së Kosovë, znj. Vlora Spanca, shprehu falenderimet e saj për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe vlerësoi punën e bërë ndër vite nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“KLSH mbetet një institucion i besueshëm që ka fuqinë të ecë përpara përmes punës që kryen. Ne kemi fuqi të ndryshojmë jetën e qytetarit dhe këtë e bëjmë përmes fuqizimit të llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në qeverisjen e institucioneve publike duke shërbyer si organizata model, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit udhëheq si shembull në shtetin shqiptar”, theksoi znj. Spanca.

Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit në Maqedoninë e Veriut, z. Maksim Acevski, në fjalën e tij përcolli gjithashtu mesazhe për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal mes tre vendeve.

“Bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit nëpërmjet Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është një histori suksesi që besoj se do të vazhdojë të ekzistojë dhe do të jetë shembull se si fqinjët duhet të bashkëpunojnë edhe mes profesionistëve”, u shpreh z. Acevski.

E pranishme në aktivitet ishte edhe historiania Prof.Dr. Nevila Nika.

Aktiviteteve me rastin e 98-vjetorit të KLSH-së vijuan me një vizitë në qytetin e Shkodrës. Të ftuarit vizituan Kalanë e Rozafës dhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

     


E-mail zyrtar