Në kuadër të fushatës kombëtare për dhurimin vullnetar të gjakut, punonjës të Kontrollit të Lartë të Shtetit iu bashkuan kësaj nisme, një akt human që shpëton jetë.
Në datën 05.03.2026, në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit u zhvillua një seancë dhurimi vullnetar gjaku, në bashkëpunim me personelin mjekësor të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
KLSH në vijimësi ka dhënë kontributin e tij në këtë fushatë, në ndihmë të pacientëve me talasemi, të sëmurëve kronikë, pacientëve hemofilikë, atyre që trajtohen me dializë, si dhe personave të aksidentuar.
Duke vlerësuar solidaritetin e Kontrollit të Lartë të Shtetit me këtë nismë, personeli i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut falënderoi punonjësit e KLSH-së, të cilët tashmë e kanë kthyer në traditë dhurimin vullnetar të gjakut në ndihmë të pacientëve në nevojë.
Vëmendja ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj personave në nevojë, është një ndër prioritetet e punës së KLSH-së edhe në veprimtarinë audituese, duke rekomanduar ndaj institucioneve përgjegjëse marrjen e masave për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe efikase për qytetarët.
Në këtë kuadër, institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit është i përkushtuar në përmbushjen e misionit të tij për të mbrojtur interesin publik, duke kontribuar përmes auditimit të pavarur në rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
