Prishtinë 29-30 maj 2025
Në datat 29-30 maj 2025 u zhvillua në Prishtinë takimi II midis grupeve të auditimit të KLSH-së dhe ZKA-së në kuadër të auditimit paralel të performancës me temë “Mbrojtja dhe siguria e digave”. Në këtë takim morën pjesë Aulent Guri, Skënder Muça, Artan Topjana dhe Xhuljeta Çelaj në cilësinë e grupit të auditimit të KLSH-së si dhe znj. Arjana Gjonbalaj Drejtor i Auditimit të Performancës së ZKA-së, znj. Alba Keqa dhe znj. Kujtesa Alaj në cilësinë e grupit të auditimit të ZKA-së.
Gjatë zhvillimit të takimit në ditën e parë, u bë një përmbledhje e ecurisë nga ana e grupit të auditimit të ZKA-së kryesisht mbi situatën e menaxhimit dhe shfrytëzimit të digave në Kosovë, idnetifikimit të kritereve dhe çështjeve kryesore që do të adresohen në këtë auditim.
Më tej, të dy grupet e auditimit, zhvilluan një vizitë studimore në digën e Batllavës, ku në praninë e institucioneve përgjegjëse të Kosovës, të cilët shfrytëzojnë këtë digë, u diskutua nga afër për mangësitë apo problematikat me të cilat ndeshet kjo digë.
Gjatë ditës së dytë të takimit, grupi i auditimit të KLSH-së mbajti një prezantim mbi ecurinë e auditimit të digave në Shqipëri. Gjatë këtij prezantimi u theksua përfshirja e tre institucioneve të reja në auditim, përkatësisht Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Berat, krahas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Më tej u diskutua mbi vizitën e grupit të auditimit të Kosovës në dy apo tre diga në Shqipëri në fund të muajit Qershor. Shumëllojshmëria, tipologjia dhe karakteristikat e ndryshme të digave të përzgjedhura për t’u vizituar nga të dy grupet e auditimit bashkërisht, kontribuojnë dhe ndihmojnë të dy grupet e auditimit, për të ndarë njohuritë, shkëmbyer eksperienca si dhe për të mësuar nga të metat apo edhe të përfitimet e njëri-tjetrit.
