Kontrolli i Lartë i Shtetit paraqiti në seancën dëgjimore të zhvilluar më 13.11.2025 nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kërkesat për projektbuxhetin e vitit 2026.
Në mbledhje mori pjesë Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, i shoqëruar nga drejtorja e Burimeve Njerëzore, znj. Ermira Hoxha, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse, z. Elton Bodini dhe znj. Alketa Kalleshi nga Sektori i Financës.
Në këtë dëgjesë, u prezantua nga KLSH shkalla e realizimit të buxhetit për vitin 2025, ecuria e zbatimit të rekomandimeve, si dhe u paraqitën disa kërkesa për shtesë mbi tavanet buxhetore, për përmbushjen e detyrimeve që lindin nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2024.
KLSH theksoi se miratimi i kërkesave buxhetore për vitin 2026 do t’i mundësojë institucionit të përmbushë detyrimet ligjore dhe kërkesat nga Kuvendi i Shqipërisë për kryerjen e auditimeve në fusha specifike që përfshijnë kontratat koncesionare, marrëveshjet hidrokarbure, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, zhvillimin e auditimeve paralele me institucionet homologe, dixhitalizimin e procesit të punës etj.