Në datat 9-10 qershor 2025, në Prishtinë u organizua workshop-i me temë: “Iniciativë për Auditim të ri të performancës në bashkëpunim”, pjesëmarrës të së cilit ishin përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Zyrës Kombëtare të Auditimit Kosovë dhe SAI-t të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e organizatës UN Women. Ky aktivitet është pjesë e programit rajonal “Financim Transformues për Barazinë Gjinore në Ballkanin Perëndimor”, i mbështetur nga Qeveria e Suedisë nëpërmjet SIDA-s dhe i zbatuar nga UN Women në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi.
Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë aktivitet morën pjesë z. Aulent Guri, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës dhe auditueset znj. Eva Kushta dhe znj. Arjeta Çoku.
Objektivi kryesor i këtij takimi pune është që ekipet e audituesve nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) përkatëse të diskutojnë mbi iniciativën për auditimin e ri bashkëpunues të performancës dhe të vendosë në përputhje me temën që lidhet me Gratë Lidere – Gratë në Politikë, Parlament dhe në Pozicionet Lidershipit në Qeverinë Qendrore.
Përveç kësaj, UN Women dhe ekipi i audituesve do të diskutojnë hapat e ardhshëm dhe mbështetjen e nevojshme nga institucionet shtetërore të auditimit për integrimin e gjinisë në praktikat e auditimit.
Gjatë ditëve të zhvillimit të aktivitetit pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi iniciativën për auditimin e ri bashkëpunues të performancës në përputhje me temën që lidhet me Gratë Lidere – Gratë në Politikë, Parlament dhe në Pozicionet Lidershipit në Qeverinë Qendrore.
Përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit diskutuan dhe ndanë praktikat dhe përvojat e tyre në kryerjen e auditimeve të lidhura me barazinë gjinore, mundësimin e kushteve për auditimin e çështjeve që lidhen me përfaqësimin e grave në politikë dhe ndikimin që këto auditime kanë për temën në fokus.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit hartuan edhe axhendën e takimeve në vijim me synim finalizimin e fokusit të auditimit të përbshkët, studimit të çështjes në vendet respektive dhe dakordësimin e palëve për temën e auditimit që pritet të fillojë.
Bashkëpunimi me SAI homologe mundëson një analizë të thelluar të politikave ekzistuese, identifikimin e boshllëqeve në zbatimin e kuaotave gjinore dhe vlerësimin e ndikimit të strategjive për barazinë gjinore. Përmes shkëmbimit të praktikave të mira dhe harmonizmit të metodologjive të auditimit, mund të sigurohet një transparencë më e madhe dhe të propozohen masa efektive për rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.
