Në datën 24 prill 2026, përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit morën pjesë në trajnimin me temë “Vlerësimi i Riskut të Integritetit dhe hartimi i Planit të Integritetit në institucionet publike”, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në kuadër të projektit “GoEthics 2.0 – Governance, Ethics & Integrity”.
Trajnimi, i zhvilluar në Tiranë dhe i drejtuar nga eksperti ndërkombëtar në fushën e integritetit publik Dr. Alain Hoekstra, u fokusua në forcimin e integritetit institucional dhe përmirësimin e qeverisjes publike përmes praktikave konkrete të identifikimit dhe menaxhimit të risqeve të integritetit.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u njohën me qasjet metodologjike për hartimin dhe zbatimin e Planeve të Integritetit, si instrumente kyçe në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua trajtimit të dilemave etike në praktikë, si dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse.
Pjesëmarrja e KLSH-së në këtë trajnim rikonfirmon angazhimin e institucionit për të promovuar integritetin, transparencën dhe llogaridhënien në administratën publike.