17 tetor 2025
Përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit morën pjesë në seminarin e organizuar më datë 17 tetor 2025 nga Gjykata Portugeze e Llogarive, në kuadër të programit të punës së rrjetit të EUROSAI-t për Etikën (N.ET) me temë “Institucionet Supreme të Auditimit, Inteligjenca Artificiale dhe Etika”.
Qëllimi i këtij seminari ishte ofrimi i një qasjeje të strukturuar dhe hapja e një platforme të gjerë diskutimi mbi mundësitë, sfidat dhe implikimet etike në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale në fushëveprimin e detyrave dhe mandateve të Institucioneve Supreme të Auditimit, si dhe dhënia e informacionit të përditësuar në lidhje me etikën, në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit.
Ekspertët dhe të ftuarit u ndalën në pika kyçe për trajtimin e inteligjencës artificiale, si mbështetja e tepruar mbi sistemin kompjuterik në krahasim me skepticizmin dhe logjikën njerëzore që po sjell shfaqja e indikatorëve të metodologjisë së përdorur për auditimin e IA, përcaktimi i qartë në mbajtjen e përgjegjësisë për gabimet e konstatuara në sistemet e auditimit të IA, por edhe këndvështrimi filozofik mbi temën e etikës, botëkuptimit njerëzor, sistemeve të automatizuara, inteligjencës artificiale dhe ndikimi i tyre në demokraci.
Më tej, gjatë seminarit u paraqitën rezultatet e sondazhit të kryer ndërmjet SAI-ve pjesëmarrëse mbi etikën e IA në SAI, si dhe nevojat dhe perspektivat.
Rezultatet e sondazhit nxorën në pah nevojat si vijon:
-Krijimin e një metodologjie të auditimit të Inteligjencës Artificiale, e cila të jetë e unifikuar për të gjitha Institucionet Supreme të Auditimit;
-Evoluimin në mandatet e SAI-ve ku të përfshihet:
1) verifikimi dhe legjitimiteti i përdorimit të IA në sektorin publik;
2) përcaktimi i qartë mbi mbajtjen e përgjegjësisë nga ana e subjekteve të sektorit publik mbi veprimet në lidhje me sistemet IA;
3) transparenca e dokumentacioneve që kanë lidhje me IA;
4) transparenca mbi algoritmet e përdorura për ngritjen e IA;
-Amendime në Kodin Etik të SAI-ve, kjo për shkak se zbatimi i ISSAI-130 konsiderohet i pamjaftueshëm, bazuar mbi zhvillimet më të fundit të teknologjisë;
Në fazën përmbyllëse të seminarit, përfaqësues të Agjencisë Protugeze Antikorrupsion, theksuan nevojën e përforcimit të bashkëpunimit midis agjencive të antikorrupsionit dhe Institucioneve Supreme të Auditmit duke u ndalur në lidhjen e marrëveshjeve të reja ndërinstitucionale për evidentimin, ndalimin, monitorimin dhe vënien para përgjegjësive të subjekteve të sektorit publik, që mund të kryejnë veprime të jashtëligjshme nga përdorimi i IA.
Nga KLSH në këtë seminar, morën pjesë z. Adhurim Banushi, Drejtor i Drejtorisë së Etikës dhe Integritetit, z. Agron Halili, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore dhe Pronës Publike si dhe z. Blerti Shehu, auditues.
