Banner

KLSH merr pjesë në Samitin Ndërkombëtar në Lima dhe nënshkruan Deklaratën për forcimin e kontrollit ndaj korrupsionit ndërkombëtar

Kryefaqja » Uncategorized » KLSH merr pjesë në Samitin Ndërkombëtar në Lima dhe nënshkruan Deklaratën për forcimin e kontrollit ndaj korrupsionit ndërkombëtar
Kryetari

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) mori pjesë në Samitin Ndërkombëtar për Luftën kundër Korrupsionit, i cili u zhvillua më 19–20 shkurt 2026 në Lima, Peru, me pjesëmarrjen e Institucioneve Supreme të Auditimit anëtare të INTOSAI dhe OLACEFS. Samiti shërbeu si një platformë e rëndësishme ndërkombëtare për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në forcimin e kontrollit qeveritar përballë korrupsionit ndërkufitar dhe sfidave që burojnë nga zhvillimet e reja teknologjike.

Gjatë sesioneve të samitit u theksua se korrupsioni ndërkombëtar përbën një kërcënim serioz për stabilitetin demokratik, financat publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke kërkuar një qasje të koordinuar dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të auditimit. Diskutimet në tryezat e nivelit të lartë u përqendruan në hartimin e politikave globale kundër korrupsionit, rritjen e rolit strategjik të SAI-ve, përdorimin e analizës së të dhënave, inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në proceset e auditimit, si dhe në forcimin e integritetit dhe kontrollit të brendshëm në sektorin publik. Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit teknik dhe administrativ ndërmjet institucioneve homologe, me qëllim shkëmbimin në kohë reale të informacionit dhe rritjen e efektivitetit në auditimin e operacioneve ndërkombëtare.

Në përfundim të samitit, përfaqësuesit e 21 SAI-ve, përfshirë KLSH, nënshkruan Deklaratën “Mbi Forcimin e Kontrollit Qeveritar përballë Korrupsionit Ndërkombëtar dhe Teknologjive të Reja”, duke rikonfirmuar angazhimin mbi promovimin dhe zhvillimin e politikave globale kundër korrupsionit që forcojnë rolin e tyre strategjik dhe promovojnë kornizat institucionale që lehtësojnë zhvillimin e politikave kundër korrupsionit. Deklarata thekson gjithashtu rëndësinë e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit si një garanci thelbësore për një kontroll efektiv, efikas dhe transparent në shërbim të qytetarëve.

 


E-mail zyrtar