Në datat 30 shtator – 1 tetor Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në konferencën kombëtare me temë “Budgeting with Integrity in Albania“, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, në bashkëpunim me Delegacionin e BE në Shqipëri, në kuadër të projektit “BAT-Civil Society – Kapacitete për Mbikëqyrje Civile të Llogaridhënies dhe Transparencës Buxhetore”. Në këtë takim morën pjesë institucione publike, shoqëria civile, media, dhe akademia.
Kjo konference u organizua me disa panele të cilat trajtuan rolin e institucioneve të pavarura dhe aktorëve shoqërorë në mbikëqyrjen e financave vendore dhe ecurinë e buxhetimit të përgjithshëm gjinor.
Diskutimet gjatë këtyre dy ditëve theksuan nevojën për hapje më të madhe të proceseve buxhetore ndaj shoqërisë civile dhe publikut të gjerë, në mënyrë që buxhetet të pasqyrojnë realisht nevojat dhe prioritetet e qytetarëve.
Institucionet e pavarura të mbikëqyrjes luajnë një rol kyç në mbajtjen përgjegjëse të qeverisë, veçanërisht në nivel lokal, ku burimet janë më pranë nevojave të përditshme të qytetarëve.
Në takim u diskutua për praktikat aktuale, sfidat në zbatimin e mbikëqyrjes dhe mënyrat për të ndërtuar sisteme më të forta të llogaridhënies me në qendër qytetarin në nivel lokal.
Gjatë ditës së dytë të konferencës u vlerësua se si institucione si Kontrolli i Lartë i Shtetit bashkitë, shoqërinë civile dhe publikun bashkëveprojnë për të forcuar integritetin financiar.
Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë konferencë morën pjesë audituesit Fatmir Iliazi dhe Arminda Bushi të cilët në fjalën e tyre theksuan rolin e KLSH si institucioni më i lartë kushtetues i auditimit publik, i cili nëpërmjet ekspertizës dhe auditimeve cilësore, mbështet Kuvendin dhe informon publikun dhe palët e interesit, në mënyrë të vazhdueshme, të paanshme dhe të plotë mbi përgjegjshmërinë që qeveria dhe entet publike tregojnë në menaxhimin e parasë së taksapaguesve, me qëllim përmirësimin e shërbimeve publike.
IDM bazuar dhe në punën audituese të KLSH do të publikojë një paketë dokumentesh politike mbi rolin e organeve mbikëqyrëse (ku përfshin dhe rolin e KLSH), e aktorëve shoqërorë në proceset buxhetore, integrimin e zotimeve mjedisore në buxhetet vendore dhe buxhetimin me ndjeshmëri gjinore.
