05.11.2015
Dëmi ekonomik i shkaktuar Buxhetit të Shtetit është rreth 942 mijë euro
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 125/5 prot., datë 16.03.2015 dhe nr. 125/16 prot., datë 11.06.2015, ka ushtruar auditim në Ministrinë e Mbrojtjes, në përfundim të cilit, me Vendim të Kryetarit të KLSH, nr. 134, datë 30.09.2015, është miratuar raporti përfundimtar i auditimit, së bashku me rekomandimet përkatëse, të cilat i janë përcjellë Ministrisë së Mbrojtjes me shkresën nr. 125/34, datë 30.09.2015.
Nga auditimi, KLSH ka evidentuar shumë shkelje të legjislacionit, ndër të cilat më kryesoret janë:
Përgjithësisht pjesëmarrja e OE në procedurat e tenderëve, ka qenë e ulët.
– Në 6 procedura tenderimi ka paraqitur ofertë vetëm një OE. Fondi limit për këto procedura ka qenë 103 milion lekë, ose sa 37 % e fondit limit të tenderuar.
– Në 10 procedura tenderimi, kanë paraqitur oferta 30 OE, ose mesatarisht 3 OE/tender, janë skualifikuar 13 OE. Fondi limit ka qenë 112 milion lekë, ose sa 40 % e fondit limit gjithsej të tenderuar, efekti i garës ka qenë 3 milion lekë, ose më pak se 3 %..
– Në 4 procedura kanë paraqitur ofertë 11 OE, ose mesatarisht 3 OE/tender dhe janë skualifikuar dy OE. Fondi limit ka qenë 22 milion lekë, ose sa 8 % e fondit limit gjithsej të tenderuar, efekti i garës ka qenë 2 milion lekë, ose rreth 13 %.
Nga tenderët e audituar kanë rezultuar me parregullsi 14 prej tyre me vlerë 129,815 lekë, që përbën rreth 44 % të vlerës gjithsej të tenderuar.
Në tërësi nga auditimi ka rezultuar një performancë e ulët dhe përdorim pa eficencë, efikasitet, dhe ekonomicitet i fondeve publike, shoqëruar me efekte financiare negative.
Përsa i përket shkeljeve të konstatuara në këtë auditim dhe të evidentuara në dy kallëzimet penale të dorëzuara organit të
Prokurorisë, sqarojmë që:
Nga auditimi rezultoi se gjatë zbatimit të kontratës së tenderit me objekt “Furnizimi me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh” e ndryshuar, kompanisë fituese i janë likuiduar katër kite me vlerë 3,458,142 euro, ndërkohë që vlera e katër kiteve sipas dokumentacionit të bërë hyrje është në 2,764,348 euro, ose 639,794 euro më pak.
Nga auditimi rezultoi që, për periudhën shtator 2013 deri më 31.12.2014, janë marrë në dorëzim të gjithë Kitet, të cilët sipas kontratës kanë një vlerë prej 3,458,142 Euro ndërsa sipas fletë hyrjeve një vlerë prej 2,764,348 Euro.
Në kontratë janë parashikuar të furnizohen 5 Kite, me një vlerë totale prej 6,446,800 Euro. Por, po të zbresim nga kjo vlerën e Kitit të helikopterit VIP (i cili tashmë nuk do të lëvrohet, pasi nga amendimi i kontratës, ky helikopter është zëvendësuar më 2 helikopterë EC 145, në shumën 2,988,658 Euro), vlera e 4 Kiteve rezulton të mbetet në shumën 3,458,142 Euro (6,446,800 Euro–2,988,658 Euro).
Si rrjedhojë, ndonëse vlera e kiteve të marra në dorëzim figuron të jetë 2,764,348 Euro sipas fletë hyrjeve, realisht pagesa në lidhje me këto Kite është bërë në vlerën 3,458,142 Euro sipas përcaktimeve kontraktore. Pra janë paguar 693,794 Euro më tepër (3,458,142 Euro – 2,764,348 Euro) për pajisje apo elementë të Kiteve të cilat nuk janë dorëzuar dhe nuk janë bërë hyrje në magazinë.
– Nga auditimi, rezulton se grupi i punës ka hartuar projektin teknik me vlerë 1,420,000 Euro, me rritje prej 220.000 Euro, nga projekti ide fillestar i propozuar nga Komanda e Policisë Ushtarake, diferencë e cila justifikohet nga grupi i punës me shtesë të disa elementeve, duke mos dhënë preventive të detajuar mbi çmimet e këtyre elementëve, por duke dalë vetëm me një paketë përfundimtare, si pasojë e dërgimit të dhënat dhe specifikimet teknike kompanisë IVECO Defence Vehicle, bazuar në kërkesën për çmim dhe disponueshmëri.
– Gjithashtu, nga auditimi rezulton se tre përfaqësues të njësisë ushtarake operacionale janë përfshirë nga AK edhe në grupin e punës, duke vepruar kështu në kundërshtim me përcaktimet e bëra në VKM nr. 1403 datë 27.10.2008 “Për disa ndryshime në Vendimin nr. 521 datë 08.08.2007, të Këshillit të Ministrave “Për procedurat e blerjes nga Ministria e Mbrojtjes të disa mallrave të përjashtuar nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik” dhe Rregulloren “Për procedurat që përdoren nga MM për prokurim e disa mallrave dhe shërbimeve të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik” Kreu V, pika 1, b ku përcaktohet se “Në rastin kur hapa të ndryshme të këtij procesi bëhen nga të njëjtët element strukture, personat që marrin pjesë në një hap të procesit nuk duhet të përfshihen në hapin tjetër”.
– Grupi i vlerësimit të ofertës ka ndryshuar specifikimet teknike në varësi të ndryshimeve të ardhura nga kompania prodhuese e blindave (në rastin konkret nga IVECO Defence Vehicle), duke ulur dhe forcën motorike të motorit, etj. Gjithashtu nga grupi i vlerësimit të ofertës, është propozuar dhe lloji i procedurës së prokurimit ushtarak. Si pasojë e kësaj shkelje, është rritur në mënyrë të pajustifikuar vlera e automjeteve prej 220,000 Euro.
Mbi bazën e shkeljeve të mësipërme, me shkresat nr. 125/36, datë 18.10.2015 dhe nr. 125/37, datë 18.10.2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka përcjellë organit të Prokurorisë dy kallëzime penale për 12 punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.
Më konkretisht, KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë dy kallëzimet penale për Ë.Ç. me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme së Standarteve të NATO-s dhe Modernizimit, A.Sh. me detyrë Shef i Sektorit të Hartimit të Projekteve, M.K. me detyrë Shef Shtabi në Policinë B.D. me detyrë shef logjistike në Policinë Ushtarake B.B. me detyrë Komandat i Kompanisë operacionale në Policinë Ushtarake N.G. me detyrë specialist në sektorin e hartimit të projekteve, E.D. me detyrë specialist në sektorin e hartimit të projekteve, në lidhje me shkeljet e konstatuara në tenderin me objekt “Blerje mjete të blinduara për policinë ushtarake me kompaninë Iveco s.p.a,”, duke rritur në mënyrë të pajustifikuar, fondin limit nga 1,200,000 Euro të parashikuar në projektin fillestar të propozuar nga Komanda e Policisë Ushtarake, në 1,420,000 Euro, ose 220,000 euro më shumë; si dhe M.M. me detyrë Z/V Komandant i KFA, O.N. me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të
Financës së KFA, S.Ç. me detyrë ish Komandant i Repartit Ushtarak nr. 3006, A.L. me detyrë ish Komandant i Repartit Ushtarak nr. 3006, dhe L.A. me detyrë ish Shefe e Financës e Repartit 3006, në lidhje me shkeljet e konstatuara në zbatimin e kontratës së tenderit me objekt “Furnizimi me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh”, të cilët nëpërmjet veprimeve të kryera prej tyre, i kanë likujduar kompanisë private katër kite me vlerë 3,458,142 euro, ose 639,794 euro më shumë, ndërkohë që vlera e katër kiteve sipas dokumentacionit të bërë hyrje është 2,764,348 euro.
Lidhur me këtë auditim është prononcuar edhe Zv/Ministri i Mbrojtjes, z.Petro Koçi.