12.07.2015
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1204/1, datë 05.01.2015, ndryshuar me shkresën nr. 1204/2, datë 20.02.2015, ka ushtruar auditim në Bashkinë Pogradec, në përfundim të të cilit KLSH me shkresën nr. 1204/0, datë 02.06.2015 i ka përcjellë Bashkisë Pogradec gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimit nr. 67, datë 02.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së.
Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat, më kryesoret janë:
Përcaktimi i kritereve të panevojshme dhe të padobishme për kualifikim sa sipër ka favorizuar me te padrejtë bashkimin e operatorëve ekonomikë, duke i shkaktuar buxhetit të Bashkisë Pogradec një dëm ekonomik në vlerën 4,796,530 lekë.
Sa më sipër, KLSH ka përcjellë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, kallëzimin penal nr. 1204/13, datë 10.07.2015 për 6 persona, respektivisht për S.Ll, F.B e E.L, në cilësinë e Specialistëve në Njësisë së Prokurimit në Bashkinë Pogradec, me akuzën e “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, të cilët në shkelje flagrante të rregullave të përcaktuara në fushën e prokurimeve publike, kanë sjellë mospërdorimin me efektivitet, ekonomicitet dhe eficencë të fondeve publike në vlerën prej 4,796,530 lekë, veprime këto në kundërshtim me nenin 46 kualifikimi i ofertueseve, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, dhe germa “c”, pika 3 Informacione të veçanta, kreu III, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar “Kriteret Specifike të Kualifikimit”.
Gjithashtu kallëzim penal është bërë edhe për K.Gj, A.M dhe G Sh, respektivisht me detyrë Kryeinspektorë të Inspektoratit Mbrojtjes Territorit Vendor Pogradec, për periudha të ndryshme, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të cilët në shkelje flagrante në zbatim të ligjit nr. 10119, dt. 23.04.2009 “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar, kanë favorizuar duke shmangur pagesën e gjobës prej 3,184,815 lekë, në mënyrë të qëllimshme dhe të kundraligjshme, ndaj një subjekti privat.
Në total, m Vendimin nr. 67, datë 02.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së, është rekomanduar dhënia e masës disiplinore ndaj 38 punonjësve të administratës së Bashkisë Pogradec, për shkak të parregullsive të shumta dhe shkeljeve në fushën e Urbanistikës, administrimit të taksave dhe tarifave vendore, menaxhimin e pronave, etj, duke kërkuar njëkohësisht edhe shpërblimin e dëmeve ekonomike të konstatuara në vlerën komplesive prej 22.892 mijë lekë.