Në datën 10 shkurt 2026, në ambientet e Hotel Rogner në Tiranë u organizua nga SIGMA/OECD në bashkëpunim me Ministrinë e Financave konferenca “Forcimi i kapaciteteve të auditimit të brendshëm në sektorin publik”, në të cilën u prezantua Manuali i Auditimit të Brendshëm, i përditësuar.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin znj. Ritva Heikinnen, kreu i Delegacionit të Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Ferdinand Pot, Përfaqësues i Lartë i SIGMA/OECD, z. Manfred van Kesteren, ekspert i SIGMA, Zëvendësministri i Financave, z. Andi Memeti, përfaqësues të grupit të punës të përgatitjes dhe përditësimit të Manualit të Auditimit të Brendshëm si dhe drejtues të Njësive të Auditimit të Brendshëm në rang vendi. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë aktivitet nga znj. Jorida Zhegu, audituese në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm në KLSH.
Në këtë aktivitet u trajtuan arritjet kryesore të vitit 2025 në Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik, si: adoptimi i Standardeve Globale të Auditimit të Brendshëm; miratimi i Manualit të ri të Auditimit të Brendshëm; hapja e procesit të certifikimit për audituesit e brendshëm.
Në fund të konferencës u prezantuan risitë e Manualit të Brendshëm që konsistojnë në mënyrën se si angazhohet dhe menaxhohet procesi i auditimit, duke përcaktuar unifikimin dhe shtimin e formateve dhe cilësisë së auditimit në çdo proces; përputhshmërinë me Standardet Globale të Auditimit të Brendshëm (GIAS); dokumentim të detajuar dhe të standardizuar të çdo faze auditimi; mekanizma të qartë për kontrollin e cilësisë dhe mbikëqyrjes etj.