Banner

Drejt inovacionit dhe standardeve të larta në auditimin publik, KLSH përfaqësohet në Kongresin INCOSAI XXV

Kryefaqja » Uncategorized » Drejt inovacionit dhe standardeve të larta në auditimin publik, KLSH përfaqësohet në Kongresin INCOSAI XXV
Kryetari

Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në punimet e Kongresit të 25-të të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), i cili u zhvillua në 27-31 Tetor në Sharm El-Sheikh, Egjipt. Ky Kongres, i njohur si INCOSAI XXV, u organizua në një kontekst global të karakterizuar nga transformime të thella, zhvillime të përshpejtuara teknologjike dhe sfida ekonomike e financiare me ndikim të drejtpërdrejtë në përmbushjen e Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm.

INCOSAI XXV shërbeu si një platformë e rëndësishme për dialog, reflektim, inovacion dhe bashkëpunim ndërmjet anëtarëve të INTOSAI-t. Pjesëmarrësit, mes të cilëve edhe KLSH, bashkuan vizionin dhe angazhimin e tyre për të forcuar rolin e institucioneve supreme të auditimit në përballjen me sfidat e reja globale, duke promovuar profesionalizmin, pavarësinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë. Në përfundim të punimeve, anëtarët e INTOSAI-t miratuan një vizion të përbashkët strategjik që synon rritjen e ndikimit të auditimit publik në zhvillimin e qeverisjes dhe forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet. U vu theksi mbi nevojën për të ruajtur dhe forcuar pavarësinë e institucioneve supreme të auditimit, përmes krijimit të një mjedisi ligjor që e njeh dhe e mbron këtë pavarësi. Në këtë kuadër u vlerësua nisja e Projektit Global për Pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI), që synon forcimin e besimit në institucionet publike.

Kongresi u përqendrua në dy tema teknike të një rëndësie të veçantë. Tema e parë trajtoi rolin e SAI-ve në auditimin e bankave qendrore gjatë krizave financiare dhe ekonomike. Diskutimet u përqendruan në mënyrën se si auditimi mund të garantojë qëndrueshmëri, transparencë dhe përgjegjshmëri në menaxhimin e fondeve publike, duke theksuar rëndësinë e përcaktimit të qartë të mandateve ligjore për auditimin e bankave qendrore, forcimin e koordinimit me institucionet e mbikëqyrjes financiare dhe zhvillimin e kornizave të qëndrueshme ndaj krizave.

Tema e dytë kishte në fokus përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në auditim, duke e konsideruar atë si një mjet për të rritur efikasitetin dhe saktësinë e punës audituese, për të përmirësuar cilësinë e gjetjeve dhe për të identifikuar devijimet në mënyrë më të shpejtë. Pjesëmarrësit theksuan se përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të bazohet në parime etike, në një qasje të përgjegjshme dhe nën një kuadër të qartë qeverisës që garanton sigurinë e të dhënave dhe parandalon paragjykimet algoritmike. U evidentua rëndësia e kombinimit të efikasitetit të teknologjisë me përvojën profesionale të audituesit dhe nevoja për zhvillimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë.

Gjatë sesioneve plenare të Kongresit, u prezantuan raportet e institucioneve drejtuese dhe komiteteve të përhershme të INTOSAI-t, përfshirë raportin e Presidentit të INTOSAI-t (Egjipt), të Komitetit Mbikëqyrës për Çështje Emergjente (Brazil), të Sekretarit të Përgjithshëm (Austri), të Komitetit për Politika, Financa dhe Administrim PFAC (Arabi Saudite), të Bashkëpunimit të Donatorëve të INTOSAI-t (Arabi Saudite), të Komitetit për Standardet Profesionale (Gjykata Evropiane e Auditorëve), të Komitetit për Ndërtimin e Kapaciteteve (Afrika e Jugut) dhe të Komitetit për Ndarjen e Njohurive (Spanjë). Gjithashtu, prezantuan raportet e tyre edhe organizatat rajonale: AFROSAI, ASOSAI, CAROSAI, OLACEFS, ARABOSAI, EUROSAI dhe PASAI, duke ndarë përvojat dhe arritjet e tyre në kuadër të zbatimit të objektivave të përbashkëta të organizatës.

Në kuadër të procesit zgjedhor të Kongresit, u zgjodhën organet e reja drejtuese të INTOSAI-t, anëtarët e Bordit Drejtues si dhe audituesit e jashtëm të organizatës. Anëtarët e INTOSAI-t miratuan Deklaratën e Sharm El-Sheikh, e cila përcakton angazhimin e përbashkët të komunitetit global të auditimit për të ndërtuar institucione supreme më të forta, më të pavarura dhe më të qëndrueshme, të afta për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes. Deklarata nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, të inovacionit në auditim dhe të përdorimit të teknologjive të avancuara për të forcuar transparencën, përgjegjshmërinë dhe ndikimin e auditimit publik në zhvillimin e qëndrueshëm.

Ceremonia përmbyllëse e Kongresit u karakterizua nga ndarja e çmimeve ndërkombëtare për kontribute të shquara në fushën e auditimit publik, përfshirë Çmimin e së Ardhmes INTOSAI, Çmimin Elmar B. Staats, Çmimin Kimi Makwetu dhe Çmimin e Udhëheqësve të Rinj të Institucioneve Supreme të Auditimit.

Në fund të punimeve, u konfirmua se Kongresi XXVI i INCOSAI-t do të zhvillohet në Indonezi, ndërsa Kongresi XXVII do të organizohet nga Mbretëria e Arabisë Saudite.

Përgjatë aktiviteteve të Kongresit, përfaqësuesit e KLSH-së: Drejtori i Departamentit të Sigurimit të Cilësisë dhe Zbatimit të Standardeve, znj. Joniada Goçaj, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës, z. Aulent Guri dhe Drejtori i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Xhesila Nano, zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues të SAI-ve të tjera.

                 

 


E-mail zyrtar