Banner

Çelet projekti “Smart Finance” mbi auditimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Kryefaqja » Uncategorized » Çelet projekti “Smart Finance” mbi auditimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm
Kryetari

Më datat 4–5 dhjetor 2025, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, së bashku me përfaqësues të KLSH-së, morën pjesë në dialogun rajonal të organizuar në Tiranë nga UNDP, në kuadër të nisjes së projektit “Smart Finance” për një Qeverisje të Përgjegjshme. Ky aktivitet mblodhi Kryetarë dhe përfaqësues të institucioneve supreme të auditimit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia si dhe partnerë nga Zyra Supreme e Auditimit të Sllovakisë.

Gjatë takimit dyditor u zhvilluan diskutime mbi rolin e auditimit në mbështetjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), sfidat në qeverisjen vendore dhe rëndësinë e forcimit të mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies. Pjesëmarrësit ndanë përvoja mbi auditimet e OZHQ-ve dhe mënyrat për integrimin e tyre në auditimet e performancës, duke theksuar nevojën për qasje të harmonizuar dhe përdorim të metodologjive të përbashkëta në rajon.

U prezantua gjithashtu drafti i parë i Vlerësimit të Nevojave të Kapaciteteve të SAI-ve, i cili evidenton fusha ku kërkohet asistencë teknike, trajnim dhe shkëmbim përvojash, duke shërbyer si bazë për hartimin e planit të punës për vitin 2026. Pjesëmarrësit u njohën edhe me praktikat e Zyrës Supreme të Auditimit të Sllovakisë, përfshirë përdorimin e mjeteve digjitale si platforma “MUMAP”, të cilat paraqesin mundësi për t’u adaptuar në rajon në funksion të auditimit vendor.

Në këtë kuadër, z. Arben Shehu vlerësoi bashkëpunimin rajonal dhe theksoi angazhimin e KLSH-së në mbështetjen e proceseve të auditimit të orientuara drejt OZHQ-ve, duke synuar rritjen e efektivitetit të qeverisjes publike në nivel qendror dhe vendor.

Aktiviteti u mbyll me dakordësimin për zhvillimin e një plani të përbashkët pune për vitin e ardhshëm, i cili do të udhëheqë veprimtaritë e projektit dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve supreme të auditimit në rajon, me synimin për të forcuar kapacitetet, transparencën dhe llogaridhënien në menaxhimin e fondeve publike.


E-mail zyrtar