Në vijim të bashkëpunimit bilateral mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar (NAO UK) dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, me mbështetjen e Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD), në datat 13-15 janar 2026, u zhvillua në KLSH një takim 3-ditor pune me temë “Zhvillimi i Kornizës së Komunikimit Strategjik dhe Përmirësimi i Funksioneve Kryesore të Komunikimit”.
Në takimin me stafin e Drejtorisë së Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, z. Benjamin Peters, drejtor i Komunikimit me Jashtë në NAO UK dhe znj. Clare Harkey, drejtuese e Zyrës së Shtypit sollën eksperiencën se si Zyra Kombëtare e Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar komunikon me grupet e interesit për të përçuar qartë mesazhet e auditimeve, dhe rritur besimin dhe vlerën e punës së NAO-s. Ata theksuan se institucionet supreme të auditimit janë “rojtare” të fondeve publike që duhet të udhëhiqen nga tri parime kryesore: Besimi, Vlera dhe Ndikimi. Z. Peters dhe znj. Harkey prezantuan edhe Strategjinë e re të Komunikimit të NAO-s deri në vitin 2030.
Gjatë trajnimit me stafin e KLSH-së, ekspertët e NAO-s veçuan rëndësinë e komunikimit efektiv që një Institucion Suprem Auditimi duhet të ketë me Parlamentin, punonjësit publikë, shoqërinë civile, median dhe qytetarët, për të forcuar ndikimin e mesazheve dhe rolin institucional në mbikëqyrjen e shpenzimeve të fondeve publike dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.