Banner

Auditimi tematik “Mbi monitorimin e HEC Sasaj”

Kryefaqja » Njoftime » Auditimi tematik “Mbi monitorimin e HEC Sasaj”
Kryetari

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin tematik “Mbi monitorimin e HEC Sasaj, Sarandë”, për periudhën nga fillimi i koncesionit deri më 31.01.2025. Si një çështje me ndjeshmëri publike, ky auditim në kohë reale nisi menjëherë pas çarjes së digës së hidrocentralit të Bunecit.
Auditimi është ushtruar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Agjencinë Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN).

Nga ky auditim janë konstatuar disa mangësi, të cilat në mënyrë të përmbledhur janë si më poshtë:

  • Struktura mbajtëse, rrethuese e basenit të presionit kishte pësuar dëmtim, për pasojë derdhje të ujit të depozituar, duke shkaktuar dëme të bimësisë në rrjedhën e malit si dhe në banesa, biznese dhe infrastrukturë.
  • Nga ana e AKBN-së nuk janë realizuar monitorime të mjaftueshme për HEC “Sasaj”, por dhe për HEC-e të tjerë. Mungesa e monitorimeve ka lidhje me mosrespektimin nga ana e koncesionarëve të marrëveshjeve përkatëse për paraqitje dokumentacioni në mënyrë periodike, si dhe me mangësi në inspektimet që realizohen në këto HEC-e nga AKBN.
  • Nga ana e koncesionarit nuk janë marrë masa të vazhdueshme për sigurinë e veprave përbërëse të HEC “Sasaj” dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla.
  • Nga ana e AKBN-së janë inspektuar veprat përbërëse të HEC “Sasaj” pas dëmtimit, por nuk ka asnjë korrespondencë në lidhje me masat që duhet të marrë koncesionari, as me organet e pushtetit vendor dhe as me vetë koncesionarin për kompensimin e dëmeve.
  • Koncesionari nuk ka realizuar punimet dhe nuk ka vënë në shfrytëzim HEC-in në kohën e parashikuar në marrëveshje, megjithatë nuk janë respektuar përcaktimet e kësaj marrëveshje për aplikimin e penaliteteve.
  • Koncesionari nuk ka zbatuar detyrimet kontraktore në lidhje me mirëmbajtjen dhe investimet periodike që duhet të kryeshin në veprat e HEC “Sasaj”.
  • Nga verifikimi i dokumentacionit si dhe verifikimi në objekt rezulton se fuqia e instaluar për HEC “Sasaj” është 8600 kW. Referuar përcaktimeve të kontratës koncesionare, fuqia e projektuar dhe e miratuar për këtë vepër është 5,500 kW. Ky devijim nga përcaktimet e kontratës përbën shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes koncesionare dhe shoqërohet me problematika të natyrës teknike, të cilat ndikojnë në funksionimin optimal të veprës.

Për më shumë informacion mbi këtë auditim ndiqni linkun me raportin e plotë:

Raport përfundimtar auditimi tematik “Mbi monitorimin e HEC Sasaj, Sarandë”

   

 

 


E-mail zyrtar