Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, me ftesë të Presidentit të Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, z. Marian Banaś, ka zhvilluar në datën 7 shkurt 2025, një vizitë zyrtare pranë këtij institucioni me rastin e 106 – vjetorit të krijimit të tij.
Z. Shehu u prit nga Presidenti Banaś dhe drejtues të tjerë të lartë të institucionit. Pjesëmarrës në këtë takim ishte dhe Presidenti i Gjykatës Federale Braziliane të Llogarive, njëkohësisht edhe President i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), Ministri Vital do Rêgo. Presidenti Banaś falenderoi z. Shehu për pjesëmarrjen e tij në këtë ditë të shënuar për Zyrën Supreme të Auditimit të Polonisë. Drejtues të Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë prezantuan një kuadër të përgjithshëm të organizimit dhe funksionimit të institucionit.
Z. Shehu dhe Presidenti Banaś në bashkëbisedimin e tyre, e vunë theksin në historinë e shkëlqyer të marrëdhënies dhe bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, të cilat do të jenë gjithnjë në zhvillim e konsolidim të mëtejshëm. Kryetari i KLSH-së e falënderoi Presidentin Banaś për pritjen e veçantë dhe theksoi rëndësinë dhe vlerën e shtuar që ka për KLSH-në bashkëpunimi me institucionin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për tema me interes të përbashkët, si ajo e sigurisë dhe mbrojtjes civile, auditimi i projekteve të Partneritetit Publik Privat, auditimet ad-hoc etj. Z. Shehu dhe Presidenti Banaś shprehën përtej vlerësimit, edhe angazhimin dhe vullnetin e plotë, në thellimin e këtij bashkëpunimi të suksesshëm.
Kryetari i KLSH-së në fjalën e tij gjatë ceremonisë zyrtare të përvjetorit të Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, shprehu urimet për përvjetorin e 106-të të krijimit të tij dhe vlerësimet më të mira për nivelin e lartë të këtij institucioni. Ai theksoi se çdo punonjës i këtij institucioni ka qenë dhe është krenar që është pjesë e këtij sistemi dhe këtij populli të nderuar, i cili është simbol i rezistencës së madhe dhe ruajtjes së vlerave njerëzore.
Gjatë vizitës në Varshavë, z. Shehu gjithashtu zhvilloi një vizitë në “Warsaw Rising Museum”, i cili i kushtohet Kryengritjes së Varshavës të vitit 1944.

