Bashkëpunime me Institucione të Tjerë

Zhvillohet Konferenca përmbyllëse e projektit të USAID, “Transparenca në sistemin shëndetësor”

Që prej marsit 2017, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar USAID nëpërmjet projektit “Transparenca në sistemin shëndetësor” ka siguruar asistencë teknike për tre institucione të pavarura qeveritare qendrore dhe disa organizata të shoqërisë civile dhe medias për të identifikuar korrupsionin në sistemin shëndetësor. Duke punuar me Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), institucionin e Avokatit të Popullit dhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), projekti gjeneroi të dhëna nëpërmjet auditimeve të performancës, raportimit të aseteve dhe hetimit të ankesave me qëllim nxitjen e mekanizmave të transparencës dhe angazhimin e qytetarëve në mënyrë më efikase në luftën ndaj korrupsionit në shëndetësi.

Në datën 9 korrik, në Tiranë u zhvillua Konferenca përmbyllëse e këtij projekti që USAID zhvilloi për një periudhë prej dy vjet e gjysëm me këto tre institucione të pavarura (KLSH, ILDKPKI dhe Avokatin e Popullit), në bashkëpunim me Organizata të Shoqërisë Civile që punojnë në sektorin e shëndetësisë.

usaid4_copy_1

Aktivitetin e hapi zj.Ornela Palushaj, Drejtore e këtij projekti, e cila vlerësoi rolin e të tre Institucioneve të Pavarura dhe bashkëpunimin mes tyre për realizimin me sukses të Projektit. Ky projekt është përqendruar në sistemin shëndetësor për shkak të ndjeshmërisë që kanë qytetarët ndaj shërbimit shëndetësor dhe problematikës korruptive që ka ky sistem.

Në emër të USAID Shqipëri, Zj. Mikaela Meredith, Drejtore, tha se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë krenare për këtë projekt. “Ky projekt përfundon, por puna do të vazhdojë. Unë dëshiroj të nxis dialogun e vazhdueshëm bashkëpunues midis institucioneve mbikëqyrëse, organizatave të shoqërisë civile dhe medias. Të gjitha këto i bashkon qëllimi për përmirësimin e transparencës së qeverisë, forcimin e parimeve të qeverisjes së mirë dhe mbrojtjen e burimeve publike nga shpërdorimi,” nënvizoi ajo.

Më pas e mori fjalën zj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit, e cila theksoi në fjalën e saj vlerën e projektit për institucionin që ajo drejton.
Zoti Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së, në fjalën e tij u ndal në faktin që Projekti “Transparenca në sistemin shëndetësor” 2017-2019, i financuar nga USAID u propozua dhe u realizua në momentin kur KLSH po punonte për Strategjinë e Komunikimit të institucionit 2017-2019 dhe ishte në të njëjtën linjë me objektivat e kësaj strategjie, si dhe me proceset e modernizimit të KLSH-së.

Ky projekt ishte në sinergji të plotë edhe me disa nisma të tjera të transparencës së informacionit për publikun e gjerë që institucioni kishte ndërmarrë, por specifikat e këtij projekti konsistojnë në tre aspekte kryesore:
a)  diversifikimi i instrumentave për rritjen  e transparences;
b) partneriteti real dhe konkret me USAID-in;
c) tipologjia e produkteve (outputeve) në linjë me proceset e dixhitalizimit të KLSH-së.

Për më tepër, sektori i shëndetësisë, në fokus të projektit përbën një sektor me rëndësi dhe me efekte të drejtpërdrejta në cilësinë e jetës së qytetarit shqiptar.

Është fakt që asistenca teknike e  këtij projekti ka ndikuar jo vetëm në përmirësimin e auditimeve të performancës në sektorin e shëndetësisë, por kryesisht në zgjerimin e rezonancës dhe të impaktit të punës audituese tek palët e interesit dhe kryesisht tek shoqëria civile. Gjatë dy viteve  të  fundit,  KLSH ka  zhvilluar  auditimin  e  performancës  në  Shërbimin  e  Urgjencës Mjekësore në Shqipëri, në Kostimin e Shërbimeve Spitalore dhe në Recetën Elektronike Mjekësore, krahas auditimit në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Më pas z.Leskaj u ndal në aspektin tjetër të këtij projekti, në atë të rritjes së transparencës, duke theksuar që  “Rritja e aksesit të qytetareve tek informacioni, futja e disa zgjidhjeve teknologjike për sistemin e ankesave nga qytetarët, si dhe përdorimi me efektivitet i të dhënave të hapura dhe treguesve të alarmit të kuq për fusha me risk të lartë për korrupsion kanë qënë instrumentat konkretë të zhvilluara nëpërmjet këtij projekti, të cilat kanë ndihmuar në rritjen e transparencës në të tre dimensionet e saj, duke qenë më të hapur e më komunikues me të gjithë palët e interest dhe më të përgjegjshëm edhe ndaj qytetarit”.

Në emër të ILDKPKI-së përshëndeti z. Flori Karaj, i cili theksoi kontributin e USAID-it në realizimin e prioritetit institucional për të përmirësuar sistemin e deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe konfliktit të interesit të personave të zgjedhur dhe disa nëpunësve publikë.

usaid2_copy_2

Qëllimi i projektit (mars 2017 - korrik 2019) ishte të krijonte një mjedis më të përgjegjshëm në shëndetësi duke rritur rolin mbikëqyrës të institucioneve të pavarura dhe duke angazhuar përfituesit, shoqërinë civile dhe qytetarët.

Konferenca përmbyllëse u shoqërua me diskutime nga të pranishmit dhe nga USAID u shpërndanë çertifikatat e vlerësimit. Për kontributin e KLSH-së në këtë projekt çertifikata iu dorëzua Kryetarit, z.Bujar Leskaj.

usaid1_copy_2