Bashkëpunime me Institucione të Tjerë

KLSH nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”

Në datën 19 Prill, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr. Bujar Leskaj dhe Rektorja e Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Prof.Dr. Kseanela Sotirofski nënshkruan  Marrëveshjen e  Bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Kjo marrëveshje vjen në kuadër të interesit të përbashkët për të bashkëpunuar në rritjen e kapaciteteve dhe njohurive profesionale të stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në njërën anë, si dhe në zhvillimin e kurrikulave dhe mendimit shkencore të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në anën tjetër, përmes kontributit që ofron KLSH-ja si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili ndihmon në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike nga Qeveria dhe entet e tjera publike nëpërmjet auditimit.

klsh undurres1

Prof.Dr.Kseanela Sotirofski falenderoi Kryetarin e KLSH-së z.Leskaj për vlerësimin dhe finalizimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi, duke e vlerësuar KLSH si një partner të rëndësishëm në shkëmbimin e eksperiencave dhe përfitimin nga përvoja e audituesve të KLSH-së.

Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj theksoi se marrëveshja e bashkëpunimit mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu”, do të formalizojë bashkëpunimin dy palësh, i cili realisht funksionon prej disa vitesh, duke u ndërtuar mbi bazën e motos së INTOSAI-t “Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë”(“Experentia mutua omnibus prodest”).

Mbështetur në Standartet Ndërkombëtare të Auditimit, jam i kënaqur -vijoi z.Leskaj- që KLSH vijon bashkëpunimin me Universitet, stafet akademike dhe OJF, duke nënshkruar që nga viti 2012 deri tani 47 marrëveshje të tilla, të cilat kanë qenë dobiprurëse veçanërisht në drejtim të forcimit të kapaciteteve të audituesve të KLSH-së dhe në formimin dhe përfitimin e eksperiencave nga studentët e talentuar.

Kryetari i KLSH-së falenderoi Rektoren e Universitetit të Durrësit për kushtet e krijuara dhe për bashkëpunimin e treguar për zhvillimin e analizës vjetore të KLSH-së për vitin 2017. Bashkëpunimi me Universitetin e Durrësit do të vijojë në drejtim të orientimit, trajnimit praktik, këshillimit të drejtë të studentëve dhe për realizimin e studimeve dhe punëve kërkimore.

Vijim i kësaj marrëveshje do të jetë edhe nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi mes Dekanit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Durrësit dhe Drejtorit të Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH.

Në këtë aktivitet, i cili u zhvillua në ambientet e KLSH-së, morën pjesë Drejtues të Universitetit të Durrësit dhe drejtues dhe auditues të KLSH-së.