Bashkëpunime me Institucione të Tjerë

KLSH marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Ekonomisë

Në datën 7 korrik 2016, në mjediset e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH-së dhe Fakultetit Ekonomik, përfaqësuar nga Kryetari i KLSH-së, Dr. Bujar Leskaj dhe Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Dhori Kule.

kryetari_2755_0

Marrëveshja vjen në kuadër të interesit dhe dëshirës së mirë të të dyja institucioneve  për të bashkëpunuar në rritjen e kapaciteteve dhe njohurive profesionale të stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe në shtimin e aktivitetit kërkimor të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës në fushën e auditimit të jashtëm, si dhe nga fakti që për Kontrollin e Lartë të Shtetit shtimi i cilësisë së punës audituese është thelbësor dhe për Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës zgjerimi i kërkimit të aplikuar përbën një detyrë parësore.

Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj u shpreh se Kontrolli i Lartë i Shtetit numëron 23 marrëveshje me institucionet të tjera shtetërore, organizata të shoqërisë civile dhe organizata të profesionistëve të fushës dhe se ky partneritet merr një rëndësi të veçantë për arsyen se Fakulteti i Ekonomisë përbën bazën e edukimit të kontabilistëve dhe audituesve të ardhshëm. Në këtë kuadër, kryetari Leskaj theksoi se implementimi i marrëveshjes do të ketë në thelb kontributin e ekspertizës së botës akademike, në veçanti të Departamentit të Kontabilitetit, në rritjen e cilësisë së punës audituese. Kjo sinergji, theksoi kreu i KLSH-së, do të përmirësojë kapacitetet e institucioneve përkatëse për të ecur në ato linja institucionale që kërkon vetë integrimi në Bashkimin Europian. Tre fusha  të tjera ku do të kristalizohet bashkëpunimi mes botës akademike dhe KLSH-së do të jenë Konferenca Shkencore Vjetore e KLSH-së, Revista kërkimore shkencore “Auditimi Publik” dhe zhvillimi i një Peer Review me Fakultetin e Ekonomisë.
Ky bashkëpunim është në përputhje të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, ISSAI 1, Deklarata e Limës, në nenin 12 të së cilës theksohet rëndësia e bashkëpunimit me ekspertët dhe qarqet akademike.

Në përfundim të fjalës së  tij, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj shprehu dëshirën që në të ardhmen çertifikimi i audituesve të jashtëm të bëhet nga KLSH në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik.

kryetari_2_2756_0