Njoftime

Cilësia e ajrit në fokusin e Institucioneve të Larta të Auditimit të Evropës

10.11.2017

Në datat 8-9 nëntor 2017 u zhvillua në Gjykatën Evropiane të Llogarive në Luksemburg takimi mbi auditimin evropian të “Cilësisë së Ajrit” i iniciuar nga EUROSAI nën bashkë udhëheqjen e SAI-it (Institucionit Suprem të Auditimit) të Hollandës dhe Polonisë. Në këtë event morën pjesë SAI-t e Shqipërisë, Bullgarisë, Estonisë, Hungarisë, Izraelit, Kosovës, Maqedonisë, Moldavisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Zvicrës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë takim nga z. Artur Hasanbelliu Drejtor i Auditit të Brendshëm në KLSH dhe z. Aulent Guri, Kryeauditues në Departamentin e Performancës në KLSH. Objektivi kryesor i këtij auditimi ishte vlerësimi i masave të ndërmarra për të luftuar ndotjen e ajrit.

Takimi ishte i ndarë në dy sesione kryesore. Në sesionin e parë të gjitha vendet pjesëmarrëse prezantuan punën e tyre të deritanishme mbi auditimin me temë “Cilësia e Ajrit” që po kryejnë në vendet respektive, shoqëruar me gjetjet aktuale më të rëndësishme si dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrin në vazhdim.

luksenburg

Grupi i auditimit të KLSH-së në prezantimin e tyre theksuan ndër të tjera mos akreditimin e procesit të monitorimit të cilësise së ajrit në vendin tonë, numrin e pakët të stacioneve të monitorimit si dhe besueshmerinë e ulët qe kanë Raportet e Gjendjes së Mjedisit (veçanërisht për cilësinë e ajrit) në Shqipëri. Ajo që u pa në fund të sesionit të parë ishte se në të gjitha vendet, ndotësit kryesorë që ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit ishin thuajse të njëjta, duke filluar me grimcat e imëta (PM10 & PM2.5), oksidet e azotit (NOX), ozoni troposferik (O3), dioksidi i sulfurit (SO2), monoksidi i karbonit etj. Trafiku, shoqëruar me sektorin e industrisë dhe bujqësisë janë gjeneruesit kryesorë të këtyre ndotësve. Prezantimet u fokusuan në institucionet përgjegjëse për monitorimin, zbatimin dhe raportimin e gjendjes së cilësisë së ajrit nëse kanë zbatuar me efetivitet/eficiencë realizimin e objektivave të tyre ose nëse objektivat janë në përputhje me Direktivën 50/2008 të Komisionit Europian mbi Cilësinë e Ajrit të Mjedisit. Në sesionin e dytë u organizuan takime në grupe më të vogla dhe u diskutuan më në detaje për tematika që kanë të bëjnë me:

•Analizën kosto – përfitim të politikave mjedisore dhe veçanërisht cilësisë së ajrit;
•Përzgjedhjen e lokacioneve në të cilat janë vendosur stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit;
•Afatet dhe strukturën që çdo vend do të përgatisë për “Joint – Report-in” final.

Gjithashtu, përgjatë këtyre takimeve u diskutuan sfidat që çdo grup kishte hasur në punën e tyre duke ndarë në këtë mënyrë eksperienca në kalimin dhe kapërcimin e vështirësive ose risqeve të jashtme të auditimit.

Raportet individuale të auditimit ashtu si edhe “Joint Report” (i cili do të publikohet në mesin e 2018) do të theksojnë rëndësinë e problemit të ndotjes së ajrit dhe do i sigurojnë vendimmarrësve një burim të përdorshëm se si ta bëjnë më efektiv sistemin për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Në përfundim të këtij takimi, kolegët e ECA-s bënë një përmbledhje me diskutimet që u mbajtën në të dy ditët e takimit, nga të cilat rezultoi se një pjesë e mirë e rekomandimeve do t’i adresohen edhe disa institucioneve të rëndësishme si Komisionit Evropian, Agjencisë Evropiane të Mjedisit etj.