Kryetari i KLSH-së merr pjesë në kremtimin e 40 vjetorit të Deklaratës së Limës dhe në Konferencën e 7-të Ndërkombëtare Antikorrupsion
09.12.2017
Në datat 5-7 Dhjetor, në Lima të Perusë, u organizuan dy evente të rëndësishme për Komunitetin INTOSAI: Përvjetori i 40-të i Deklaratës së Limës dhe Konferenca e 7-të Ndërkombëtare Antikorrupsion.
Dita e parë e aktiviteteve iu përkushtua tërësisht përkujtimit të nënshkrimit të Deklaratës së Limës, Kushtetutës së Institucioneve Supreme të Auditimit në mbarë globin. Kjo Deklaratë, ISSAI 1, është guri i themelit në punën e audituesit të jashtëm dhe, jo vetëm i ka qëndruar testit të kohës, por frymëzon zhvillime të vazhdueshme për të rritur impaktin dhe rëndësinë e SAI-eve.
Në këtë ditë, konferencën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre përfaqësues të Komunitetit INTOSAI nga të 5 kontinentet (EUROSAI, ASOSAI, AFROSAI, OLACEFS, ARABOSAI, etj). Punimet i hapi Kontrollori i Përgjithshëm i Republikës së Perusë, z. Nelson Shack Yalta dhe Presidenti i INTOSAI-t Harib Saeed al Amimi, të cilët në fjalën e tyre theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe rritjen e rolit të tyre në ndihmë të një qeverisjeje sa më transparente. Në seksionin e dytë, vëmendja u përqëndrua në procesin e Peer Review (vlerësimit mes kolegëve), që SAI austriak në bashkëpunim me Austrian Development Cooperation kanë realizuar në 7 organizatat bija rajonale të INTOSAI-t, ku për EUROSAI-n, ky proces u realizua në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në Shqipëri. Disa nga SAI-t e vlerësuara, përfshirë edhe Shqipërinë, bënë një prezantim të detajuar të punës dhe rezultateve të procesit të Peer Review.
KLSH u prezantua në këtë aktivitet nga Kryetari, z. Bujar Leskaj, Drejtori i Departamentit Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të Standardeve dhe Etikës, z. Ermal Yzeiraj, si edhe Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës, z. Rinald Muça. Në emër të KLSH-së, prezantimin e paraqiti z. Rinald Muça, i cili theksoi rëndësinë e procesit të vlerësimit, gjetjet më të spikatura nga kolegët austriakë, si edhe ndryshimet që ka ndërmarrë KLSH për të vënë në jetë rekomandimet e propozuara nga ky proces. Prezantime të spikatura në këtë panel bënë gjithashtu edhe kolegët austriakë, të cilët konsoliduan gjetjet nga raportet e realizuara në secilin SAI pjesëmarrës në Peer Review dhe prezantuan planin e veprimit për të ardhmen.
Në vijim, Kryetari i KLSH-së, z. Leskaj, realizoi një takim bilateral me një nga hartuesit kryesorë të Deklaratës së Limës dhe firmosësit e saj, ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Përgjithshëm të INTOSAI-t dhe Gjykatës Austriake të Auditimit, ish-Presidentin e Gjykatës Europiane të Auditimit, Dr. Hubert Weber.
Në vijim të ditës së parë u bënë një sërë prezantimesh nga përfaqësues të SAI-eve të Afrikës së Jugut, Brazilit, Indisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, etj., si edhe nga drejtues të IDI-it, Bankës Botërore dhe Austrian Development Cooperation. Secili prej tyre solli një eksperiencë dhe këndvështrim unik mbi sfidat me të cilat përballen sot SAI-et kudo në botë, nevojën për një shërbim më të mirë ndaj qytetarit dhe udhëheqjen përmes shembullit.
* * * * *
Në ditën e dytë dhe të tretë, punimet vazhduan me Konferencën e 7-të Antikorrupsion, ku Presidenti i SAI-t të Perusë prezantoi fillimisht reformën e ndërmarrë në Peru dhe më gjerë në krejt Amerikën Latine, për këtë plagë të shoqërisë. Korrupsioni kudo në botë shkakton dëme të pallogaritshme mbi të ardhmen e brezave dhe mirëqenien e popujve. E vetmja mënyrë e luftës ndaj tij është angazhimi dhe bashkëpunimi real i të gjithëve, strukturave qeverisëse, shoqërisë civile dhe ndërgjegjësimit qytetar.
Më tej, ditën e dytë të konferencës, vijuan me fjalën e tyre përfaqësues të SAI-t spanjoll, kanadez, polak, paraguajan, kolumbian, brazilian, etj. Folësi kanadez theksoi në fjalën e tij rolin që luan auditimi i performancës në luftën ndaj korrupsionit. Fjala e tij rezonoi me inisiativën që ka ndërmarrë së fundmi departamenti i auditimit të performancës në KLSH për të audituar përmes një auditimi performance strategjinë kombëtare anitkorrupsion dhe efektivitetin e saj në sektorë të caktuar të ekonomisë.
Në fjalën e tij, Presidenti i NIK-ut polak, z. Krzysztof Kwiatkowski, e vuri theksin mbi integritetin dhe kontrollin e brendshëm në institucionet publike, duke cilësuar kryesisht konfliktin e interesit në kryerjen e detyrave funksionale.
Në ditën e tretë të konferencës u prezantuan idetë dhe arritjet e SAI-eve dhe organizatave kryesisht amerikano-latine, si Kili, Bolivia, Peruja, Meksika, etj. Theksi nga folësit u vu tek bashkëpunimi ndërinstitucional, ndërgjegjësimi dhe përfshirja qytetare, transparenca e organeve publike, etj.
Përgjatë gjithë vizitës 3-ditore, përfaqësuesit e KLSH-së vendosën ura bashkëpunimi me kolegët e tyre nga e mbarë bota. Kryetari i KLSH-së zhvilloi takime të shumta bilaterale me Presidentin e INTOSAI-t, z. Harib Saeed al Amimi, Presidentët e SAI-t polak z. Krzysztof Kwiatkowski, atë bullgar z. Tzvetan Tzvetkov, çek, Miloslav Kala, peruan Nelson Shack, delagacionin austriak që organizoi këtë event me SAI-n peruan dhe që mban rezidencën e përhershme të Sekretariatit të INTOSAI-t, si edhe drejtues të SAI-eve të vendeve të rajonit, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, Mal i Zi, etj. Në të gjitha këto takime u rikonfirmua vullneti i KLSH-së për të vijuar me auditime paralele për çështje që shqetësojnë anëtarët e EUROSAI-t, shkëmbimin e eksperiencave përmes trajnimeve, konferencave e workshopeve, si edhe rritjen e impaktit përmes motos së INTOSAI-t: “Nga eksperienca e përbashkët, përfitojmë të gjithë”.