Njoftime

KLSH kërkon anulimin e menjëhershëm të shpalljes së fituesit në procedurën e konkurrimit të zhvilluar nga MZHETTS për zhvillimin e zonës ekonomike në Spitallë, Durrës.

27.12.2017

Kallëzon në Prokurori anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave si dhe kërkon hetimin të mëtejshëm ndaj drejtuesve përgjegjës të niveleve më të larta të administratës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të Programit të Auditimit nr. 784/1, datë 24.07.2017 përfundoi auditimin tematik me objekt “Për procedurën e përzgjedhjes të zhvilluesit të zonës teknologjike të zhvillimit ekonomik në Spitallë, Durrës” në ish-MZHETTS  në përfundim të të cilit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi për të cilat KLSH i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin penal nr. 784/16, datë 10.12.2017 ndaj gjashtë prej anëtarëve të KVO-së të cilët kishin kualifikuar dhe shpallur në mënyrë të paligjshme si fitues bashkimin e katër operatorëve ekonomik duke rritur artificialisht vlerësimin në pikë të ofertës së tyre.

Më konkretisht nga auditimi rezultoi që së fundmi nga MZHETTS ishte zhvilluar procedura e konkurrimit për përzgjedhjen e zhvilluesit të Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (ZTZHE), në Spitallë, Durrës. (Zonë me sipërfaqe 101.2 ha ndodhet në veri të qytetit të Durrësit dhe i përket zonës kadastrale nr. 8517 Durrës).

Nga auditimi i përgatitjes së procedurës si dhe vlerësimit të metodologjisë së shpalljes së fituesit, për zhvillimin e ZTZHE rezultoi që nga verifikimi i kryer në dosjen e kësaj procedure u konstatuan se vlerësimet individuale, të kryera nga specialistët e fushës për kriteret respektive, nuk janë marrë në konsideratë nga KVO, duke ndryshuar padrejtësisht edhe rezultatin përfundimtar të operatorëve ekonomikë konkurrues, konkretisht:

spitall1

Nga rivlerësimi i pikëve të bërë nga grupi i auditimit duke u bazuar në vlerësimet e specialistëve të fushës dhe korrigjimin e gabimeve në formulat për kriteret (i)“numri i të punësuarve” dhe (ii) “kohëzgjatja e përfundimit të investimit” rezultoi që KVO duhet të kishte vlerësuar me pikë si më poshtë:

spitall2

Sa më sipër, nga auditimi rezultoi që KVO ka klasifikuar padrejtësisht në vend të dytë Operatorin ekonomik “Ofertuesi 1” duke sjellë si pasojë:

-potencialisht 54 milionë Euro investime të munguara (kosto e investimit të “Ofertuesi 1” është rreth 93 milionë Euro, ndërsa e bashkimit të operatorëve “Ofertuesi 2” është 39 milionë Euro, ose 54 milionë Euro më pak);

-potencialisht 9,500 vende pune më pak (“Ofertuesi 1” do të punësojë 12,000 punëtore, ndërsa e bashkimi i operatorëve “Ofertuesi 2”, 2,500 punonjës);

-potencialisht të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit, nga mos realizimi i kontributeve për pagesën e sigurimeve shoqërore vetëm për 1 vit për shumën 718 milionë lekë (6,300 x 9,500 x 12); dhe së fundmi;

-Risqe të shtuara për ndotjen mjedisore (“Ofertuesi 1” do të investojë në magazina doganore, qendra biznesi, etj; ndërsa bashkimi i operatorëve “Ofertuesi 2”, midis të tjerash do të investojë edhe në ndërtimin e një fabrike ferrokromi, me impakt të lartë mjedisor)

Sa më sipër, KLSH ka rekomanduar marrjen e masave për anulimin e shpalljes fitues të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Ofertuesi 2”, pasi nga auditimi ka rezultuar që si fitues duhet të ishte shpallur operatori tjetër ekonomik “Ofertuesi 1” në ofertën e të cilit parashikohej një investim prej 54 milionë euro dhe punësimi i 9,500 punonjësve më tepër se bashkimi i operatorëve i klasifikuar në mënyrë të padrejtë në vend të parë.

Për të gjitha veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me dispozitat përkatëse ligjore e nënligjore KLSH ka ngarkuar me përgjegjësi anëtarët e KVO-së të përbërë nga A.B., M.S., S.K., G.V., Eg.Os. dhe O.S., duke kërkuar njëkohësisht që hetimet nga ana e organit të Prokurorisë të orientoheshin edhe drejt zyrtarë të tjerë, deri në nivelet më të larta të administratës shtetërore, ndaj të cilëve shkon përgjegjësia për monitorimin, mbikëqyrjes dhe aprovimin e ligjshmërisë së veprimeve të strukturave dhe komisioneve përkatëse për zbatimin e kësaj procedure.