KLSH zhvillon analizën vjetore për vitin 2017
16.02.2018
Në datat 15-16 shkurt 2018, në mjediset e Universitetit Shtetëror “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi analizën vjetore për performancën e institucionit për vitin 2017. Në ditën e parë morën pjesë Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij z. Ilir Meta, Sekretari i Komisionit të Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, Akademik Anastas Angjeli, Audituesi i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani dhe Zv-Audituesi i Përgjithshëm i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, z. Naser Ademi, Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, zj. Kseanela Sotirofski si dhe shumë përfaqësues nga profesorati, ekspertë të shoqërisë civile, analistë dhe studentë të fakulteteve të Universitetit.
Në fjalën e tij, Presidenti Meta dha vlerësimin për performancën e deritanishme të KLSH-së, duke cilësuar se “...dua të shpreh kënaqësinë për angazhimin dhe përkushtimin në rritje të këtij institucioni të rëndësishëm, të këtij institucioni suprem të auditit në vendin tonë, pasi mirëmenaxhimi i financave publike si dhe ndërtimi i proceseve dhe sistemeve që rrisin efiçencën dhe eliminojnë hapësirat për abuzim duke rritur transparencën dhe llogaridhënien, janë sfidat me të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit, përballet në përditshmërinë e punës së tij.
Performanca e qëndrueshme dhe në rritje e këtij institucioni gjatë viteve të fundit ka ardhur si rezultat i reformimit dhe modernizimit të praktikave audituese konform standardeve ndërkombëtare të auditimit duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në forcimin e mirëqeverisjes së institucioneve publike në vend.”
Në përshëndetjen e tij, Sekretari i Komisionit të Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, Akademik Anastas Angjeli vlerësoi punën në vitet e fundit nga institucioni i auditimit suprem publik në vend, për rritjen e kapaciteteve të tij profesionale dhe tha se ka një praktikë të mirë bashkëpunimi mes Kuvendit dhe KLSH-së, e cila kulmoi në miratimin e ligjit të ri organik të institucionit në nëntor 2014, në përputhje me standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t. Akademik Anastas Angjeli shprehu bindjen se bashkëpunimi rezultativ i deritanishëm mes ligjvënësit dhe KLSH do të vijojë të thellohet në të ardhmen, sidomos në drejtim të ndjekjes nga Kuvendi të zbatueshmërisë së rekomandimeve që jep institucioni suprem i auditimit.
Në fjalën e tij, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj cilësoi se “Aktiviteti i KLSH-së gjatë vitit 2017 është motivuar dhe udhëhequr nga drejtimi themelor : « Auditimi publik në shërbim të qytetarit» i Kongresit INCOSAI i XXII-të i INTOSAI-t dhe nga drejtimi tjetër themelor “Si mund të ndihmojnë SAI-et në rikthimin e besimit të qytetarëve tek qeverisja publike?” i Kongresit të X-të të EUROSAI-t . Jemi përpjekur t’i realizojmë këto dy orientime themelore duke i pare si detyra/sfida tona kryesore, mbi bazën e mesazhit kuptimplotë të Kongresit INCOSAI i XXII :
« Të bashkuar në ambicie dhe vendosmëri», duke punuar për (1) modernizimin e institucionit nga këndvështrimi i aftësive audituese dhe (2) duke kontribuar në përmirësimin e qeverisjes publike, nëpërmjet forcimit të llogaridhënies dhe transparencës e thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar ».
Më tej, z. Leskaj theksoi se “KLSH ka përmbushur detyrën dhe mandatin e tij kushtetues, duke realizuar 156 auditime nga 154 të planifikuara, nga të cilat 25 janë auditime përputhshmërie, 14 janë auditime financiare, 15 janë auditime performance, 92 janë auditime rregullshmërie, 5 janë auditime të TI dhe 5 janë auditime tematike”. Pyetjes “A janë bërë gjatë vitit 2017 strukturat qeverisëse më të përgjegjshme në menaxhimin e fondeve shtetërore?”, Kryetari i KLSH iu përgjigj se”...kjo pyetje merr një përgjigje jo pozitive, duke parë nivelin e dëmeve dhe shpenzimeve jo-efektive apo me efekte negative në Buxhetin e Shtetit”
Nga auditimet e vitit 2017, KLSH ka zbuluar:
1. Dëm ekonomik, parregullsi dhe shkelje financiare (në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) në nivelin e 11.5 miliardë lekë, ose 85.8 milionë euro, duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin e këtyre parave në Buxhetin e Shtetit.
2. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, si në të ardhura dhe në shpenzime, në vlerën prej 99.05 miliardë lekë, ose rreth 740 milionë euro. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë, ose afërsisht 826 milionë euro.
Treguesi i dobishmërisë, efektivitetit të institucionit, një tregues qendror i Kuadrit të Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, i përdorur gjerësisht nga SAI-t moderne evropiane dhe nga GAO amerikane, është 31.9 lekë për KLSH-në për vitin e kaluar. Pra, për çdo një lek të shpenzuar nga Buxheti për institucionin, institucioni ka zbuluar dhe kërkuar për t’u zhdëmtuar ne Buxhetin e Shtetit 31.9 lekë. Në krahasim me periudhën dhjetëvjeçare 2002-2011 (me një mesatare 21.1 lekë), efektiviteti i institucionit për periudhën gjashtëvjeçare 2012-2017 është rritur mbi pesë herë(108.7 lekë).
Më tej, z. Leskaj vijoi me gjetjet dhe rekomandimet kryesore të institucionit të auditimit publik suprem në vend. Ndër to, ai theksoi:
(1) propozimin për hartimin e Ligjit “Mbi përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik” , në të cilin do të trajtohet përgjegjësia financiare e punonjësve të njësive publike (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve) për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me procesin e kryerjes së detyrave zyrtare;
(2) kredibilitetin e ulët të procesit të buxhetimit, ku vijohet me praktikat e programimeve jo realiste të buxhetit, sëmundje kjo e qeverive shqiptare në këto vite. Programimi i të ardhurave mbetet pika më e dobët dhe që ndikon edhe në ndryshimin e shpenzimeve. Ajo reflekton mos konsolidimin e boshtit, pra të kuadrit makroekonomik dhe fiskal, si mjet strategjik dhe pikë reference për Programimin Buxhetor Afatmesëm dhe atij vjetor, çka është thelbësore për kredibilitetin e buxhetit. Duke përcjellë shqetësimin e ngritur edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar lidhur me peshën e detyrimeve të tanishme dhe të ardhshme të Buxhetit të Shtetit nga zbatimi i partneriteve publik-privat të kontraktuara dhe të propozuara në të ardhmen, KLSH ka rekomanduar draftimin e Hartës së Risqeve për financat publike;
(3) problematikën e borxhit publik, ku duke vlerësuar punën e bërë dhe rezultatet pozitive të arritura, sidomos në ndryshimin e trendit të borxhit publik nga rritës në rënës, KLSH konstaton se në dy vitet e fundit nivelet e borxhit publik kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto(73% në vitin 2005 dhe 72.4% në 2016-ën) nuk tentojnë drejt parametrave të synuar në Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020. Institucioni i auditimit kërkon vëmendje të shtuar të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë lidhur me menaxhimin e borxhit publik dhe angazhimin maksimal të të gjithëve, që të përmbushen objektivat e vendosura për ta ulur borxhin publik nën 60% të PBB-së brenda një periudhe afatmesme;
(4) inefiçiencën e prokurimit publik, ku, duke analizuar strukturën e dëmit të konstatuar nga auditimet gjatë vitit 2017, KLSH konstaton se grupi i dytë i shkeljeve dhe dëmeve më të mëdha konstatohet përsëri në fushën e prokurimeve publike. Ndryshimet ligjore dhe ndërhyrjet në aktet rregullative kanë plotësuar kuadrin rregullativ të prokurimit publik në Shqipëri, por KLSH shprehet se prokurimi publik nuk garanton konkurrencë të drejtë dhe nuk impakton zhvillimin ekonomik përmes injektimit të fondeve drejt një game të gjerë operatorësh. Në të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara, janë shpallur fitues 1140 operatorë ekonomikë për 5067 procedura prokurimi në total. Janë kryer teste të përqendrimit dhe nga analiza e bazës së të dhënave në lidhje me prokurimet e fituara, evidentohet që gjatë vitit 2016, 50% e vlerës totale të prokuruar është përfituar nga 57 operatorë ekonomikë ose 5% e totalit të operatorëve të cilët kanë fituar 14.7% prokurime nga totali i atyre të zhvilluara. Pra vërehet një përqendrim i prokurimeve në një numër të kufizuar operatorësh, fakt që ndikon drejtpërdrejt në tregun e produkteve dhe ne konkurrencën e lirë. Ka një nivel të lartë procedurash në të cilat diferenca midis fondit limit dhe ofertës fituese është në nivele minimale, pra drejt 0, me një numër pothuaj të njëjtë me procedurat që kanë një efektivitet nga 5% deri në 20%. Në numër të lartë janë procedurat që kanë diferenca të lartë të ofertës fituese dhe fondit limit, pra mbi 20%, fakt që ngre pikëpyetje si për saktësinë e llogaritjes së fondit limit ashtu edhe për uljen e ofertave në nivele që vënë në rrezik realizimin e shërbimeve, investimeve apo sigurimin e mallrave në cilësinë e duhur;
(5) problematikën e borxhit tatimor, ku nga auditimi i zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, KLSH ka konstatuar nivelin shqetësues të borxhit tatimor. Pesha e këtij borxhi si përqindje ndaj PBB-së, nga 8.5% e PBB-së në fund të 2015 arriti në 11.7% e PBB-së në fund të 2016-ës. Në vlerën e borxhit prej 147 miliardë lekë(rreth 1.1 miliardë euro), janë shtuar detyrime përgjatë vitit 2016 në shumën 76,6 miliardë lekë, ndërkohë që numri i subjekteve borxhlinj ka pësuar një rritje alarmante. Në stokun e borxhit tatimor, disa nga debitorët më të mëdhenj janë edhe ente publike.
(6) problematikën me menaxhimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, ku vërehen parregullsi që kanë sjellë mos evidentim të drejtë të inventarit të aseteve të këtyre njësive, mos evidentim të saktë të të drejtave të këtyre njësive lidhur me detyrimet apo borxhin e bizneseve ndaj njësive të qeverisjes vendore. KLSH gjykon se mos-vlerësimi sa duhet i kësaj problematike mund të çojë në një “faliment” të këtyre administratave apo rritje të huave në nivel lokal. Megjithëse reforma territoriale ka qenë e domosdoshme, për të cilën KLSH ka rekomanduar kryerjen dhe përshpejtimin e saj që në vitin 2012, institucion konstaton se, përveç impakteve pozitive që ka dhënë në drejtim të përqendrimit dhe menaxhimit më të mirë të të ardhurave, rritjes së volumit të investimeve, edhe në vitin e dytë të zbatimit të saj, nuk janë arritur pritshmëritë e duhura në lidhje me rritjen dhe cilësinë e shërbimeve ndaj komunitetit, rritjen e të ardhurave financiare, etj. KLSH ka rekomanduar një monitorim në vijimësi të krijimit të detyrimeve të prapambetura si dhe formulimin e një strategjie të qartë të trajtimit të borxhit në njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Viti 2017 përfaqësoi vitin e fundit të zbatimit të Strategjisë së Zhvillimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit 2013-2017. Objektivat strategjikë të institucionit kanë ecur paralel me objektivat e Planeve Strategjike 2011-2016 të INTOSAI-t dhe 2011-2017 të EUROSAI-t, dy organizatat e komunitetit të institucioneve supreme publike të auditimit në Evrope dhe botë.
Monitorimi i zbatimit të kësaj Strategjie ka sjellë bilancin e pesë viteve 2013-2017 të konsolidimit të reformës institucionale në KLSH dhe krijimit të një modeli institucional që afron me modelet më të përparuara të institucioneve supreme të auditimit në Evropë. Bazuar në nivelin e treguesve të Kornizës së Matjes së Performancës së një Institucioni Suprem Auditimi, dokument i miratuar si standard ISSAI në Kongresin e fundit të INTOSAI-t, objektivat e përcaktuara në Strategjinë e Zhvillimit 2013-2017 janë realizuar në masën 85 %.
Kryetari i KLSH prezantoi gjatë ditës së parë Planin Strategjik 2018-2022 të Zhvillimit të KLSH. Analiza vjetore e KLSH vijoi gjatë ditës së parë me prezantime nga ekspertë akademikë dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile mbi performancën dhe rezultatet e llojeve të ndryshme të auditimit, zhvillimin e partneriteteve dhe përsosjen e metodologjive të auditimit.
Fjala e plotë e Kryetarit të KLSH-së Z. Bujar Leskaj
Në datën 16 shkurt, analiza e institucionit vijoi në Ambientet e KLSH-së dhe gjithashtu u zhvilluan leksione në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Në ambientet e KLSH-së, analiza e ditës së dytë filloi me workshop-in e Departamentit të Auditimit të Performancës. Një përzgjedhje e tillë vjen në një kohë të konsolidimit të këtij departamenti, të themeluar në 2012, auditimet e të cilit përpos se përbëjnë një indikator të modernizimit të KLSH-së reflektojnë edhe objektivin institucional për të qenë sa më pranë qytetarëve, në përmirësimin e shërbimeve publike.
Në fjalën e hapjes së worshkop-it, Drejtoresha e Përgjithshme znj. Lindita Milo u shpreh se auditimet e performancës reflektojnë më së miri zbatimin e ISSAI 12 “Dobia dhe vlera e SAI-ve: Të bësh ndryshim në jetën e qytetarëve”. Znj. Milo theksoi se auditimet e performancës kanë zgjeruar repertorin e tematikave duke u shtrirë në fusha me rëndësi sociale dhe ekonomike, për të ofruar një alternativë të re menaxhimi dhe vlerë të shtuar në sektorin publik.
Në fjalën e tij, Drejtori i Departamentit të Performancës, z.Rinald Muça u shpreh se viti 2017 që viti i përfundimit të Strategjisë së Zhvillimit Institucional 2013-2017 të KLSH, ku zhvillimet profesionale dhe rritja e kapaciteteve audituese përmbushën Objektivin e Tretë Strategjik, përmirësimi i cilësisë dhe shtimi i numrit të auditimeve të performancës. Auditimet e performancës janë rritur ndjeshëm në numër (20 përqind më shumë se një vit më parë), mbulueshmëri institucionesh dhe cilësi, duke trajtuar tema të ndjeshme për problematikën tonë sociale dhe ekonomike, si Matura 2016, Siguria Ushqimore, Efektiviteti i Masave të ndërmarra nga Organet Tatimore në mbledhjen e Detyrimeve të Prapambetura, Procedurat e Prokurimit, etj.
Në vijim, z. Rinald Muça theksoi se në vitin 2018, Departamenti i Auditimit të Performancës do të nisë një rrugëtim të ri, me më shumë sfida dhe përgjegjësi, përmes Strategjisë së re të Zhvillimit të KLSH 2018-2022, ku auditimet e performances kanë marrë një rol të rëndësishëm si pjesë e natyrshme e aktivitetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Analiza Vjetore për vitin 2017 vijoi me prezantimet e gjashtë auditimeve me ndjeshmëri të lartë publike si Efektiviteti i Politikave për Zhvillimin Strategjik të Turizmit, Kostimi i shërbimeve spitalore, Cilësia e Ajrit, Unifikimi i Pikave Doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës, Performanca e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë në Zhvillimin e Sportit dhe Efektiviteti i Granteve në AZHBR.
Më pas, Prof.Dr. Skënder Osmani paraqiti përpara audituesve të KLSH-së leksionin “Performanca, Auditimi, Optimizimi dhe Mirëqeverisja”.
Optimizimi ka të bëj me maksimizimin ose minimizimin e një funksioni (ose të disa funksioneve) që plotëson kushte të caktuara në një bashkësi të dhënash. Vlera ekstremale (max ose min) e funksionit në bashkësinë e dhënë të përcaktimit quhet optimum, ndërsa procesi i përcaktimit të saj quhet optimizim. Optimumi është vlera nga ky përkufizim matematik, i cili jo në çdo problem (p.sh. kur ai ka strukturë komplekse) mund të gjendet. Për sa i përket performancës ajo rrjedh nga folja me perform u që do të thotë me kry, me bë, me ekzekutu, etj. Që këtej performanca e një aktiviteti në kushte të caktuara do të thotë realizim i qëllimit të tij. Natyrisht njeriu kur kryen një aktivitet synon ta realizojë qëllimin e tij me performancë sa më të lartë ose siç thuhet me performancë optimale. Kalimthi përmendim që kuptimi “ performancë optimale” ka filluar gjerësisht të përdoret në disiplinën Computer Science (Shkenca Kompjuterike).
Performanca optimale e shoqërisë në të ardhmen është problemi themelor (numër një) i çdo reforme specifike apo globale, dhe në kontekst është çështje e vijës së parë e strategjisë kombëtare.
Më pas, Prof.Osmani sqaroi që çdo reformë është një projekt, ndoshta më saktë një sistem dhe si e tillë ajo përmban të gjitha objektivat ekonomike, financiare, teknologjike, mjedisore, kulturore etj. që parashikon të realizojë. Natyrisht që këto janë të domosdoshme por nuk janë të plota, kur atje mungon “objektivi’ për performancën njeri, sepse cilido qoftë objektivi që parashikon reforma ai nuk do të zbresë nga qielli, ai do të bëhet nga njeriu, madje njeriu i përgatitur për objektivin në fjalë ose të tjerë, d.m.th për të gjithë projektin. E një përgatitje nuk bëhet me një të rënë të lapsit, pa burime njerëzore të përgatitura me teknologjinë adekuate, kompetencat e kërkuara, investimet e nevojshme etj. Por në radhën e objektivave të çdo projekti, reforme, objektivi i performancës optimale të individit dhe në përgjithësi i shoqërisë është më i rëndësishmi sepse është ai që do të sjellë të renë e reformës, të përparuarin, performancën optimale.
Së fundmi, Prof. Osmani cilësoi se zhvillimi ekonomik i vendit është i lidhur përgjithësisht me performancën shoqërore, burimet njerëzore e natyrore, kërkimin e arsimin, dijet dhe teknologjinë, projektet dhe reformat e politikën, strategjinë dhe institucionet, auditimin dhe kontrollin, programimin dhe simulimin, modelimin dhe optimizimin, sigurinë dhe riskun, etj.
Analiza e ditës së dytë u mbyll me workshop-in dedikuar Auditimeve të IT. z. Kozma Kondakciu, Drejtor i Drejtorisë së Auditimit të IT, disa veçori të auditimve IT të realizuara gjatë vitit 2017, si:
1. UKT. Pas ushtrimit të Auditimit TI në UKT sha., KLSH arrin në konkluzionin se TI në UKT zhvillohet në mungesë të një Strategjie të Teknologjisë së Informacionit, duke sjellë mos pasqyrimin qartë të objektivave lidhur me infrastrukturën TI dhe burimet e nevojshme për ngritjen, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e saj.
Mungesa e Planit Strategjik mbart riskun e keq-adresimit të burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së UKT nga Teknologjia e Informacionit. Teknologjia e Informacionit duhet të shtrihet në gjithë proceset e aktivitetit të UKT.
2. ISSH. Pas ushtrimit të Auditimit TI në ISSH, KLSH konstatoi se Instituti i Sigurimeve Shoqërore po zhvillon Teknologjinë e Informacionit duke shfrytëzuar burimet e vëna në dispozicion duke dhënë një kontribut në administrimin e sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe në zbatimin e politikave të pensioneve në veçanti.
Pavarësisht arritjeve nga Auditimi u lanë rekomandime, zbatimi i të cilave si dhe mbështetja e zhvillimit të TI në ISSH nga strukturat qeveritare do të rrisë stabilitetin dhe sigurinë e skemës së pensioneve.
3 .INSTAT. Pas ushtrimit të Auditimit TI në INSTAT, KLSH konstatoi se mungesa e Strategjisë në INSTAT ka sjellë mos pasqyrimin qartë të objektivave të institucionit lidhur me infrastrukturën TI dhe burimet e nevojshme për ngritjen, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e saj. Me gjithë përpjekjet e bëra, INSTAT nuk ka marrë masa të mjaftueshme rregullatore dhe organizative për garantimin e sistemeve të informacionit.
4. DPTTV. Pas ushtrimit të Auditimit TI në DPTTV, KLSH konstatoi se mungesa e Strategjisë ka sjellë mos pasqyrimin qartë të objektivave të institucionit lidhur me infrastrukturën TI dhe burimet e nevojshme për ngritjen, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e saj. Mungesa e Planit Strategjik mbart riskun e keq adresimit të burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së DPTTV nga Teknologjia e Informacionit. Menaxhimi i elementëve kritikë në sistemet e informacionit, është i pa pamjaftueshëm dhe i papërshtatshëm, investimet në sistemet e informacionit nuk kanë zgjidhur përfundimisht sigurimin e vazhdueshmërisë së Biznesit dhe nuk kanë siguruar Rimëkëmbjen nga Katastrofat.
Gjatë vitit 2017 u zhvilluan:
• një Auditimi TI pilot me asistencë të IPA-s;
• u vu në përdorim manuali aktiv i auditimit IT;
• filloi krijimi i bazës së të dhënave për subjektet e auditimit IT( ICTS Database);
• u krijua linja e parë e suportit me njohuri mbi auditimin IT.
Si rezultat i përdorimit të analizës së riskut në planifikimin e auditimit nëpërmjet manualit aktiv të auditimit IT u arrit një rritje e treguesve gjatë vitit 2017 dhe ato të 6 mujorit të dytë në veçanti, si më poshtë: | |
---|---|
Sfidat për vitin 2018 për Auditimin IT
-Me qëllim përdorimin sa më efektiv të burimeve njerëzore në dispozicion, KLSH do të shtrijë përdorimin e manualit Aktiv të Auditimit IT në të gjithë auditimet duke përdorur mjetet e ofruara nga ky manual për vlerësimin e riskut në planifikimin e auditimit;
-Me qëllim shkurtimin e kohës në planifikim do të vazhdojmë popullimin e bazës së të dhënave me informacione nga subjektet;
-Trajnimi dhe përdorimi i linjës së parë të suportit për elemente të IT në auditimet e tjera mbetet një detyrë që kërkon përmirësim për vitin 2018.
Paralelisht me këto zhvillime, në ditën e dytë të analizës, një grup drejtuesish të KLSH-së, znj. Manjola Naço, Drejtore e Përgjithshme, Znj. Luljeta Nano, Sekretare e Përgjitshme, Z. Bajram Lamaj, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit, Znj. Yllka Pulashi, Drejtore e Departamentit të Auditimeve IT dhe Investimeve të Huaja dhe Znj. Aulona Jani, Kryeaudituese në Departamentin e Auditimit të Buxhetit të Shtetit, gjatë paradites së datës 16 shkurt, zhvilluan leksione të hapura me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës.
Leksioni nisi me fjalën e Sekretares së Përgjithshme, Znj. Nano, e cila bërë një prezantim mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe funksionet e tij si gardian i financave publike. Znj. Nano shtjelloi më tej mënyrën se si audituesit e KLSH-së auditojnë mbështetur në standardet e fushës ISSAI dhe mbi parimet themelore të auditimit. Në vijim e mori fjalën znj. Naço e cila u ndal në llojet e auditimit që kryen KLSH (auditime financiare, përputhshmërie, performance dhe auditime IT), ku studentëve iu shpjegua nga ndryshojnë këto tipe auditimesh nga njëri-tjetri dhe çfarë roli ka secili prej tyre në përmirësimin e menaxhimit të financave publike, si edhe në përdorimin e fondeve me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet. Pa këtyre prezantimeve pati diskutime interaktive dhe studentët e ndoqën me shumë interes.
Drejtori i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit, z. Lamaj në prezantimin e tij paraqiti ndryshimet mes Auditit të Brendshëm, Kontrollit të Brendshëm dhe Auditit të Jashtëm si koncepte të domosdoshme për t’u njohur nga të gjithë.
Kështu z. Lamaj theksoi parimin e pavarësisë si një element i rëndësishëm që bën diferencën mes auditit të brendshëm dhe atij të jashtëm.
Në këtë pjesë, studentët ngritën pyetjen: A mundet KLSH të përdor gjetjet e Auditit të Brendshëm, e nëse po në cilat raste?
Znj. Jani theksoi se përgjigja e kësaj pyetjeje është plotësisht e mbështetur në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISSAI), më specifikisht ISSAI 1610 “Përdorimi i punës së auditit të brendshëm”, i cili njeh dhe legjitimon mbështetjen tonë në punën e audituesve të brendshëm, të subjekteve që auditohen (për këtë iu rekomandua studenteve të marrin informacion më të zgjeruar edhe në web-in e KLSH-së).
Këtu duhet treguar kujdes, pasi nevojitet që nga audituesit e KLSH-së të vlerësohen sistemet e kontrollit të brendshëm (përfshirë auditin e brendshëm si një komponent përbërës i këtij të fundit dhe risqet e lidhura e me to). Nevojitet të vlerësohen gjithashtu shkalla e pavarësisë dhe e objektivitetit të Auditit të Brendshëm, mbështetur mbi metodologji dhe teste që audituesit e jashtëm kryejnë përgjatë procesit të auditimit, si edhe mbështetur mbi gjykimin profesional të tyre. Nëse në përfundim gjykohet se, Auditi i Brendshëm ka vepruar me objektivitet, atëherë pa diskutim që audituesi i jashtëm mund të mbështetet në punën e tyre, madje të thellohet më tej mbi gjetjet që i paraqiten nëse e sheh të nevojshme.
Në këtë diskutim u përfshi i gjithë paneli, duke sjellë secili argumente dhe mënyra se si KLSH vepron dhe bashkëpunon me Auditin e Brendshëm.
Gjithashtu studentët shprehën interesin dhe njëkohësisht shqetësimin e tyre mbi zbatueshmërinë e rekomandimeve të KLSH-së duke pyetur se çfarë masash merr institucioni për rritjen e nivelit të zbatueshmërisë së tyre.
Znj. Pulashi vuri theksin në faktin që KLSH është institucion rekomandues dhe në këtë këndvështrim ne duhet të vijojmë të “shkruajmë” rekomandimet tona, të cilat edhe pse nuk gjejnë zbatim sot, mbeten aty, të shkruara dhe janë gjurmë që flasin vetë për mangësi në sistemet e menaxhimit të financave publike, por flasin vetë gjithashtu për punën tonë në drejtim të përmirësimit të këtyre mangësive.
Nën këtë optikë, paneli i njohu studentët me web-in e KLSH-së, i cili përditësohet në mënyrë të vazhdueshme me gjithë aktivitetet e institucionit si edhe me publikimet e vendimeve, e tashmë edhe të raporteve të auditimit, e cila u sugjerua se mund të përdoret nga studentët si një burim i besueshëm informacioni, pse jo edhe në përgatitjen e temave për punimet e tyre shkencore. Gjithashtu studentët u ftuan të na komunikojnë në adresat respektive të e-mailit për çdo informacion që mund t’u nevojitet përgjatë studimeve të tyre akademike.
Me këto leksione u mbyll edhe dita e dytë e Analizës Vjetore të KLSH-së për vitin 2017.