Njoftime

Auditues të KLSH-së marrin pjesë në dy aktivitete të organizuara nga OECD në Paris

29.03.2018

Në datat 26-28 mars 2018, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) organizoi në Paris dy aktivitete : në datën 26 mars takimi i “Aleancës së Audituesve” dhe në datat 27-28 mars “Integriteti publik : Si të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë?”.

Në datën 26 Mars, takimi u hap nga Drejtori i Qeverisjes Publike në OECD, z.Marcos Bonturi, i cili u ndal në sfidat e përbashkëta me të cilat përballen audituesit e sektorit publik si në fushën e auditimit të jashtëm dhe në auditimin e brendshëm, si edhe në qasjet e reja dhe zgjidhjet e mundshme.
 
Gjatë ditës së parë u trajtuan cështje që kanë lidhje me rritjen e besimit të publikut, duke realizuar auditime të integritetit që kontribuojnë në mirëqeverisjen dhe që e bëjnë administratën publike më të përgjegjshme, më transparente dhe me integritet të lartë.

Aleanca e audituesve është një forum unik i audituesve të sektorit të publik për shkëmbimin e  eksperiencave dhe ka për qëllim:

•Të mbledhë në takime të përbashkëta audituesit e sektorit publik;
•Të krijojë mundësinë për të ndarë praktikat më të mira dhe të kapërcejë vështirësitë dhe sfidat e auditimit në sektorin publik;
•Të lehtësojë bashkëpunimin institucional në frymën e të mësuarit nga njëri-tjetri, duke bashkuar nevojat e njërës palë me kompetencat profesionale të një pale tjetër.

Gjatë zhvillimit të aktivitetit dhe pushimeve të seancave u diskutua me interes mes pjesëmarrësve për çështje të etikës dhe integritetit, duke iu referuar eksperiencave të vendeve respektive.

Në datat 27-28 mars, aktiviteti vijoi me trajtimin e temës  “Integriteti publik, në kuadër të globalizimit : Si të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë?”.

Forumi i organizuar nga OECD diskutoi dhe debatoi lidhur me rolin që  luan integriteti në drejtim të krijimit të kushteve të barabarta për biznesin, reduktimin e pabarazive social-ekonomike dhe bërjen e politikave publike më efektive, duke rritur për të gjithë përfitimet nga globalizimi.

Për këtë arsye të gjitha qeveritë duhet të bashkëpunojnë për të luftuar korrupsionin dhe praktikat negative në fusha si infrastruktura, tregtia, konkurenca, zhvillimi i qëndrueshëm, etj.
 
Në aktivitet u diskutua se si të ndërtohet një strategji anti-korrupsion sepse korrupsioni është shqetësimi kryesor i qytetarëve, përpara globalizimit dhe emigracionit. Ky shqetësim i qytetarëve është i justifikuar sepse korrupsioni është fenomeni që po gërryen shoqërinë e sotme. Korrupsion sjell shpërdorimin e burimeve publike, thellon pabarazitë ekonomike dhe sociale, “ushqen” pakënaqësitë popullore dhe sjell humbjen e besimit tek institucionet publike.

SAI-t duhet të punojnë dhe të ndërmarrin hapat e duhur që të mund të kontribuojnë që integriteti publik të jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve dhe të jetë në shërbim të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm.
 
Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan se për të arritur këtë ndryshim duhet të veprohet :

•Përtej pushtetit ekzekutiv, duke pasur në konsideratë organet legjislative dhe gjyqësore dhe rolin e tyre jetësor në sigurimin e integritetit në vend;
•Përtej sferës së administratës publike, duke i bashkuar procesit edhe kontributin e individëve dhe të sektorit privat. Ky veprim duhet të përfshijë të gjitha shkallët, jo vetëm administratën qendrore por edhe atë lokale, ku qytetarët mund të përfshihen në mënyrë direkte;
•Përtej aktit të korrupsionit në vetvete, duhet kuptuar korrupsioni në kompleksitetin e tij. Trafiku i influencës, devijimi i fondeve publike, përdorimi i të dhënave konfidenciale dhe abuzimi me pushtetin janë vetëm disa nga aktet më tipike të korrupsionit;
•Përtej transparencës, pra nuk mjafton që informacioni të bëhet publik por duhet të instalohen paralelisht mjete efikase të kontrollit dhe të llogaridhënies.

Në këtë aktivitet KLSH u përfaqësua nga zj.Lindita Lati, Drejtore e Përgjithshme, zj.Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë dhe zj.Erjola Meçaj, Audituese.