Njoftime

KLSH – USAID, Përdorimi i të dhënave dhe Algoritmi i Flamujve të kuq,Instrumente për Transparencë dhe Anti – Korrupsion

29.03.2018

Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe USAID për “Transparencën në Sistemin Shëndetësor”, në datat 29-30 mars auditues të KLSH-së morën pjesë në trajnimin “Përdorimi i të dhënave dhe Algoritmi i Flamujve të kuq Instrumente për Transparencë dhe Anti – Korrupsion”. Trajnimi u organizua nga Instituti Shqiptar për Shkencën dhe u zhvillua në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë. Në këtë trajnim morën pjesë auditues të KLSH, të cilët kanë audituar sektorin e shëndetësisë, prokurimet publike dhe specialistë të Drejtorisë së Komunikimit.

foto 1_copy_1

Në ditën e parë të trajnimit u trajtuan tema rreth standardeve të të dhënave të hapura. Ku fokusi kryesor ishte jo vetëm vlerësimi i përgjithshëm i përdorimit të të dhënave, detektimi i standardeve të të dhënave të hapura në ligjin Shqiptar por dhe modele auditimi të bazuara në të dhëna të hapura. Audituesit shkëmbyen ide sesi i përdorin të dhënat gjatë një procesi auditimi dhe si i vizualizojnë ato në raportin përfundimtar. Një element tjetër i rëndësishëm për përdorimin e të dhënave ishte dhe njohja me licencat e hapura (open license), pa të cilat të dhënat nuk janë vërtet të hapura sepse licenca tregon që çdo kush mund të aksesojë, përdorë dhe shpërndajë të dhënat. Pa një licencë, të dhënat mund të jenë “të disponueshme” publikisht, por përdoruesit nuk kanë leje direkt për ti aksesuar, përdorur dhe shpërndarë këto të dhëna sipas rregullave të duhura të copy right. Në seksionin e katërt, trajnimi u orientua drejt ushtrimeve praktike mbi aplikimin e standardeve për rritjen e përdorimit të të dhënave të raporteve të auditimit. Gjithashtu u diskutuan instrumentat nëpërmjet të cilave mund të rritet ndikimi që kanë këto të dhëna tek publiku.

foto 2

Ky trajnim kishte si qëllim rritjen e kapacitetit të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në dy fusha të rëndësishme si transparenca dhe anti-korrupsioni. Trajnimi u zhvillua me një frymë pozitive të shkëmbimit të ideve, debatit konstruktiv dhe identifikimit të problemeve kryesore e zgjidhjeve të mundshme.

 

foto 4_copy_1

Në kuadër të Transparencës Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerësohet si një institucion me të dhëna të hapura dhe të përdorshme nga Publiku.