Njoftime

Vijon bashkëpunimi mes Gjykatës Europiane të Audituesve dhe KLSH-së

02.05.2018

Në modernizimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ka dhënë një kontribut të çmuar Gjykata Europiane e Audituesve (ECA), nëpërmjet oganizimit të intershipeve të audituesve të rinj dhe falë kësaj asistence në KLSH po krijohet një gjenerate e re audituesish me parametrat e kolegëve të tyre europianë.

Internshipi është konsideruar një mjet shumë i rëndësishëm për të ofruar njohuri mbi auditimin e fondeve të BE-së, për audituesit e SAI-ve të vendeve që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së. Në total janë 12 auditues të KLSH-së që kanë fituar internship-et tek ECA për një periudhë 5 mujore, duke përfituar nga programet e internshipit tё kёtij institucioni, pёr tё kontribuar pranë departamenteve dhe drejtorive tё ndryshme tё ECA-s.

Kjo eksperiencë positive po vijon dhe në tetor të vitit 2018, kur nis sesioni tjetër i internshipeve do të jenë tre auditues të tjerë të KLSH-së, të cilët u pranuan prej ECA-s pas një procesi të suksesshëm aplikimi.