Njoftime

Konferenca e nivelit të lartë në Sofje për rolin e SAI-ve në rritjen e Pëgjegjshmërisë, Transparencës dhe Integritetit

15.05.2018

Në datën 15 maj 2018, në Sofje të Bullgarisë, Zyra Kombëtare e Auditimit të Bullgarisë (BNAO) organizoi, nën Presidencën Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian, Konferencën e Nivelit të Lartë me titull “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në rritjen e Përgjegjshmërise, Transparencës dhe Integritetit në Sektorin Publik”.

Merrnin pjesë përfaqesues të lartë të Parlamentit të Bullgarise dhe të auditimit suprem evropian, ndër të cilët z. Tzvetan Tzvetkov, Presidenti i  Zyrës Kombëtare të Auditimit të Bullgarise, z. Klaus-Heiner Lehne, Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve, z. Krzysztof Kwiatkovski, President i Zyrës Kombëtare të Auditimit Shtetëror të Polonisë (NIK), z. Miloslav Kala, President i SAI-t të Cekisë, z. Wolfgang Wicklicky, Drejtor  i Përgjithshëm  i Gjykatës së  Auditimit të Austrisë(ACA), si dhe Presidentët e SAI-ve të Sllovakisë, Finlandës, Sllovenisë dhe të SAI-ve të vendeve të Ballkanit Jugperëndimor.

KLSH mori pjesë me një delegacion të kryesuar nga Kryetari, z. Bujar Leskaj, i përbërë nga zj. Lindita Milo (Lati), Drejtore e Përgjithshme dhe z. Fatos Çoçoli, ekspert i jashtëm.

Në fjalën e tij përshendetëse, Presidenti i SAI-t Bullgar, z. Tzvetan Tzvetkov shprehu dëshiren dhe vullnetin e SAI-t bullgar për një partneritet sa më të plotë të SAI-ve të Ballkanit Jug-perëndimor në strukturat e bashkëpunimit të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe ofroi kontributin e institucionit të tij dhe të shtetit bullgar, në cilesinë e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, për një integrim të shpejtë.

Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA) theksoi rëndësinë që i jep ECA bashkëpunimit me SAI-t e vendeve të Ballkanit Jugperëndimor, si dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre dhe kryerjes së auditimeve të përbashkëta me ekspertë të ECA-s dhe të SAI-ve të vendeve anëtare te BE-se. Ai përmendi rrjetin e krijuar mes SAI-ve të vendeve të Ballkanit Jugperëndimor si një strukturë që po i shërben me këmbimin e informacionit dhe të eksperiencave të mira të auditimit, jo vetëm modernizimit të SAI-ve por edhe integrimit të vendeve të tyre.

Në Panelin e Parë të Konferences, me temë “Pavaresia institucionale-Faktor kyç për efektivitetin e institucioneve supreme të auditimit”, referuan Kryetari i KLSH dhe Drejtori i Pergjithshem i ACA-s, z. Wolfgang Wiklicky.

Z. Wiklicky u ndal në zbatimin nga SAI-t e të tetë shtyllave të pavaresisë se tyre, të përcaktuara në parimet e Deklaratës së Meksikos. Ai theksoi se nga një pyetesor i zhvilluar nga INTOSAI dhe IDI, Instituti per Zhvillim i INTOSAI-t, rreth 50 përqind e SAI-ve të intervistuara kanë deklaruar probleme me pavaresinë e tyre.
 
Kryetari i KLSH z. Leskaj paraqiti sfidat e institucionit të auditimit suprem në Shqiperi për forcimin e pavarësisë institucionale dhe kushtetuese. Ai theksoi miratimin e ligjit organik të KLSH në vitin 2014, si një hap konkret dhe përcaktues ne drejtim të një pavarësie të plotë dhe reale te institucionit. Zoti Leskaj  solli përvojën pozitive të KLSH në bashkëpunimin me palët e interesit si në vend, ashtu dhe me partnerët ndërkombëtarë, në mbrojtjen e pavarësisë institucionale dhe funksionale të institucionit, gjatë procesit të miratimit te ligjit të ri organik të KLSH. Ai nënvizoi se pa mbështetjen e partnerëve ndërkombetarë si Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit e Komisionit Evropian DG-Budget, SIGMA, program i BE dhe OECD, ligji i ri tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-t, nuk do të ishte e mundur të miratohej.

konf bullg1

Kryetari i KLSH theksoi partneritetin e institucionit të auditimit suprem në vend me Parlamentin dhe sidomos me Komisionin e Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, me Kryetarin dhe Sekretarin e tij, si tepër të rëndesishëm dhe vital.

Anëtari i Gjykatës Europiane të Audituesve, z. Rimantas Sadziu e cilësoi prezantimin dhe rastin e KLSH si një shembull dhe eksperiencë me vlerë per SAI-t që duan të forcojnë pavaresinë e tyre institucionale. Kumtesa u vlerësua si një “case study” nga diskutuesit.

Në Panelin e Dytë me temë “Në rrugen e auditimeve të udhehequra nga vlera për qytetaret”, Presidenti i SAI-t te Cekisë, z. Miloslav Kala solli eksperiencat dhe arritjet e institucionit të tij, por edhe bashkëpunimet e frytshme në auditimet e përbashkëta dhe paralele. SAI i Serbisë solli sfidat e ndryshimit të qasjes së auditimeve nga ato tradicionale në auditimet e orientuara nga qytetari.

Në forumin e diskutimeve “SAI: të qenit një organizate model për qeverisjen e mirë”, Audituesit e Përgjithshëm dhe Presidentët e SAI-ve të Finlandës, Kosovës,  Sllovenisë dhe Turqisë sollën vizionin e tyre dhe përpjekjet e institucioneve që drejtojnë për të dhënë shembullin e integritetit dhe profesionalizmit në punën audituese.

Paneli i Tretë me temë “Modernizimi  i Kapaciteteve administrative të SAI-ve” solli diskutimin e z.Krzysztof Kwiatkovski, President i NIK, me ide të reja ne drejtim të rritjes së përvojes qeverisëse të SAI-ve dhe përmiresimit të përdorimit me eficience, efektivitet dhe ekonomicitet të burimeve njerëzore dhe financiare që ato kanë në dispozicion.

Në panelin e Katërt me temë “Komunikimi me Palët e interest dhe rritja e besimit të qytetarëve” u paraqitën prezantime dhe diskutime me vlerë për të gjithë të pranishmit, në drejtim të zbatimit të strategjive të reja në komunikimin me partnerët dhe aleatët e natyrshëm të SAI-ve, si dhe në fitimin e besimit të qytetarit për përfitimet nga shërbimet e tyre.

konf bullg2

Kryetari i KLSH-së, z. Leskaj u takua në Sofje me Presidentin e Gjykatës Rumune te Llogarive, z.Mihai BUSUIOC, me të cilin ra dakord të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy SAI-ve në muajt e ardhshëm në Bukuresht. SAI rumun është një SAI i madh dhe me eksperiencë në auditim dhe ky bashkëpunim do t'i vlejë KLSH për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave të mira të punës.

Gjatë dy ditëve të qendrimit në Sofje, Kryetari i KLSH zhvilloi takime pune me Presidentin e BNAO-s, z. Tzvetan Tzvetkov dhe me anëtarë të Gjykatës së BNAO-s, me anëtarë të Gjykatës Evropiane të Audituesve, me Presidentin e Zyrës Kombëtare të Auditimit Shtetëror të Polonisë(NIK), z. Krzysztof Kwiatkovski, me Presidentin e SAI-t të Sllovakisë, z. Karol Mitrik,  me Presidentin e SAI-t të Çekisë, z. Miloslav Kala, me Audituesin e Përgjithshëm të Kosovës z. Besnik Osmani, me Zv/Audituesin e Pergjithshëm të Maqedonisë z. Naser Ademi, me Presidentin e Senatit të Dhomës Shtetërore të Auditimit të Malit të Zi, z. Milan Dabovic dhe me Audituesin e Përgjithshëm të SAI-t të Serbisë, z. Dusko Pejovic, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të ACA-s, z. Wolfgang Wiklicky. Në këto takime u diskutua për ecurinë e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe rritjen e partneritetit përmes shkëmbimeve të experiencës së përbashkët, sipas motos së INTOSAI-t “Experentia mutual Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”.

Për më shumë:

Programi i Konferencës

Fjala e plotë në anglisht e Kryetarit të KLSH z. Leskaj