Njoftime

KLSH kallëzon në Prokurori shtatë ish regjistrues, katër specialistë dhe një ish spcialist të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan

31.05.2018

Kanë kryer regjistrime të pasurive në objekte arkeologjike pa dokumentacionin e duhur ligjor, me dokumente të parregullta AMTP për sipërfaqen prej 156309 m2,, ndryshime zëri kadastral nga liqen, rrugë kullotë në truall për sipërfaqe 27175 m2, regjistrim pasuri shtetërore(të privatizuar), pa dokumentacionin ligjor, mos kufizime prona të paligjshme me vendim gjykate e KVTPP Elbasan për sipërfaqe 49447 m2, si dhe kanë shmangur procedurat ligjore për arkëtimin e  vlerës 257 milion lekë të ardhura këto të munguara për buxhetin.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1314/1,  datë 20.12.2017,  ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan, miratuar nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit  me Vendimin nr.32, datë 30.04.2018 për periudhën Tetor 2014  deri më Dhjetor 2017.

Nga ky auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për Z.Z,Y.P, R.P, A.A, O.K, A.sh, dhe N.D ish Regjistrues, F.K ish specialist dhe K.M, Y.V, A.P, E.GJ  me detyrë specialist, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për:

Në 64 raste me sipërfaqe truall 8025 m2,  që i përkasin qytetit Besh dhe fshatit Hysaj, mbi normën e caktuar.

Në 2 raste kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme sipas AMTP-ve, të cilat rezultojnë të korrigjuara, duke shtuar parcela për rrjedhojë sipërfaqja takuese, duke përfituar më tepër 19100m2, në favor të poseduesve të AMTP-ve.

Në 7 raste, ka regjistruar pasuri të paluajtshme për një trung familjar janë lëshuar 2 e më shumë AMTP,  mbi normën për frymë të çdo fshati, për rrjedhojë  nga regjistrimi i tyre kanë përfituar më tepër në total tokë me sipërfaqe 5167 m2, se sipërfaqja takuese e ndarë sipas normës për frymë.

Në 8 raste, kanë regjistruar pasuri të paluajtshme në zonën arkeologjike”Kala”,në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe konventën e Venecias e vitit 1964 .

Në 7 raste me sipërfaqe totale 27175 m2, kanë regjistruar pasuri në favor të poseduesve të AMTP-ve, ndërkohë që në KPP dhe regjistrat përkatës figuron e llojit: “Liqen”, “rrugë” dhe “kullotë”, pasi pasuritë e regjistruara nuk janë të llojit “tokë bujqësore”, në të gjitha rastet janë lëshuar certifikata pronësie për tokë arë.

Në 12 raste, kanë kryer veprime në (KPP) për pasuritë me sipërfaqe 49447m2, duke ofruar shërbimin e kërkuar subjektit, pa vendosur më parë kufizimin nga vendimi i gjykatës dhe vendimet e KVTPP dhe pa plotësuar kushtin për të cilin ishte vendosur.

Në 4 raste me sipërfaqe totale 2433 m2, kanë kryer veprime në KPP dhe regjistruar prona mbi sipërfaqes “truall shtet” .

Në 21raste janë regjistruar pasuri me leje legalizimi, pa u përcaktuar marrëdhëniet me truallin, (tjetërsuar trualli kur ka qenë liqen zona Belsh dhe mbi ish objekte shtetërore me një dëm ekonomik në vlerë 23,174 mijë lekë, si dhe nuk janë kryer veprimet në KPP për  vendosjen e hipotekës ligjore.

Në 17 raste kanë regjistruar  pasuri për njësi të privatizuar në mungesë të dokumentacionit të marrëdhënieve me truallin(truall dhe Liqen) me dëm e ekonomik në vlerë 3,834 mijë lekë.

Në 8 raste kanë regjistruar leje ndërtimi në mungesë të dokumentacionit të dokumentacionit tekniko ligjor fitimit të pronësisë, me detyrim financiar  për tu arkëtuar nga subjekti në vlerën 4,617,000 lekë.

Në 12 raste kanë regjistruar sipërfaqen e tokës prej 179,093m2, me mangësi në dokumentacionin e paraqitur AMTP, pa bërë verifikimin nëse AMTP-ja përmban elementët e formës dhe përmbajtjes, pa vulë, pa nënshkrimet e plota të Komisionit të Ndarjes së Tokës, si dhe troje 001 në zonën turistike Gjinar.

Në 4 raste  janë regjistruar prona mbi truall “shtet”  pasuritë ndërtesë  me sipërfaqe totale 2433 m2, pa u kryer veprimet e duhura ligjore dhe kërkuar dokumentacioni i plotë ligjor.

Në 1 rast  është lejuar një subjekt privat IT.........sha., që ka privatizuar objektin(por jo truallin) të kryej transaksione të paligjshme, administrojë e përdorë truallin “shtet”  me sipërfaqe 187387 m2, duke e përdorur për qëllime fitimi  e dhënë të tretëve me vlerë qiraje të pa paguar prej 203,660 mijë lekë si e ardhur e munguar për buxhetin dhe cënuar të drejtën e pronarëve për zotërimin e të drejtës së pronësisë.

- Në 21 raste, kanë regjistruar pasuri të paluajtshme sipas lejeve të legalizimit, duke lëshuar certifikata pronësie për pasuri truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale trualli prej 508 m2, rezulton se regjistrimi i tyre është bërë në mungesë të dokumentit që shërben si Titull pronësie, pasi AMTP-ja e përcaktuar si Titull pronësie, nuk mund të shërbejë si e tillë dhe tjetërsuar zërin Liqen .
 
KLSH i ka kërkuar Kryeregjistruesit në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore për 9 punonjës: A.P ,E.GJ,G.D, K.SH, E.B,E.I, E.R dhe J.K specialistë.

Për Z.Z, Y.P, R.P, A.A, O.K, A.SH, dhe N.D ish Regjistrues, F.K ish specialist dhe K.M, Y.V, A.P, E.GJ  me detyrë specialist, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH  ka përcjellë me shkresë nr.1077/11 prot., datë 27.03.2018 indicie për kallëzim penal Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

Bashkëngjitur gjeni në faqen e WEB-it tonë Vendimin e plotë.