Njoftime

KLSH nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Dhomën e Llogarive të Ukrainës

14.06.2018

Sot më datë 15 qershor 2018, në Kiev të Ukrainës, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Bujar Leskaj nënshkroi Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes Dhomës së Llogarive të Ukrainës dhe KLSH-së. Presidenti i Dhomës, z. Valeriy Pastkan tha se për të personalisht kjo ishte marrëveshja e dytë që nënshkruante me institucionet supreme të auditimit (SAI-t) simotra evropiane, pas marrjes së detyrës ne mars 2018 dhe u shpreh se “momenti më i rëndësishëm vjen menjëherë pas nënshkrimit, kur palët duhet të përkthejnë në nisma konkrete vullnetin e tyre për punë të përbashkët”.

Kryetari Leskaj u shpreh se, bazuar në moton e INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)” dhe në Nenin 15 “Shkëmbimi ndërkombëtar i eksperiencave” të Deklaratës së Limës, ISSAI 1, “po nënshkruajmë këtë marrëveshje për tre arësye kryesore. Së pari, për shkak të lidhjeve historike mes popujve tanë, popullit shqiptar dhe atij ukrainas, pasi 300 vjet më parë ju mirëpritët në tokën tuaj mijëra familje shqiptare që erdhën për t’i shpëtuar sundimit ottoman dhe tani në jug të Ukranës jetojnë 5 mijë shqiptarë, duke ruajtur gjuhën dhe traditat e tyre mes mikpritjes ukrainase. Së dyti, nënshkruajmë bashkëpunimin në vlerësim të personalitetit të z. Valeriy Patskan, President i SAI-t ukrainas, një nga drejtuesit dhe frymëzuesit e manifestimeve dhe revoltës popullore të vitit 2014, që sollën një qeveri demokratike me orientim pro-perëndimor në Ukrainë. Së treti dhe më e rëndësishmja, pse besojmë se bashkëpunimi ynë mbi bazën e standardeve ISSAI, do të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin dhe modernizimin e institucioneve tona, por edhe në progresin e të dyja vendeve në integrimin në Bashkimin Evropian”.

klsh ukraine

Në ceremoninë e nënshkrimit merrnin pjesë edhe pesë anëtarë të Bordit Kolegjial Drejtues të Dhomës së Llogarive të Ukrainës, të zgjedhur nga Parlamenti Ukrainas, z. Andrii Maisner, zv-President dhe anëtar i Bordit, z. Vasyl Nevidomyi,  z. Tsezar Ohon, z. Oleksandr Yaramenko dhe z. Ihor Yaremchuk.
Presidenti Patskan, në prezantimin e tij, vlerësoi arritjet e SAI-t shqiptar, si dhe reformat e ndërmarra dhe rezultatet e Kryetarit Leskaj në punën audituese dhe në ngritjen e kapaciteteve të stafit. Ai e dalloi kontributin e KLSH si SAI anëtar aktiv në Grupin e Punës së EUROSAI-t  "Për Auditimin e fondeve të alokuara për katastrofat natyrore", të cilin SAI i Ukrainës e kryeson. Z. Patskan tha: “Për këtë arësye rashë menjëherë dakord me propozimin tuaj që Mbledhja e pestë Vjetore e Grupit të Punës së EUROSAI-t të bëhet në Shqipëri, pasi ju e meritoni me punën që keni bërë, që planet e ardhshme të këtij Grupi të rëndësishëm për EUROSAI-n, të diskutohen në Tiranë”.

klsh ukraine2

Nga ana e tij, Kryetari i KLSH-se, pasi paraqiti profilin e KLSH dhe arritjet e institucionit shqiptar të auditimit të jashtëm publik, e cilësoi Dhomën e Llogarive të Ukrainës një SAI të madh të një vendi me tradita dhe që lufton për lirinë dhe dinjitetin e tij, institucion i cili, nën idetë dhe vrullin për ndryshim të drejtuesit Patskan, synon të shndërrohet në një SAI evropian modern, duke rritur nivelin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies publike në vend. “Ne kemi miq dhe partnerë të përbashkët, si Presidentin aktual të SAI-t polak(NIK) z. Krzysztof Kwiatkowski, ish-Presidentin Jacek Jezierski dhe zvPresidentin e NIK, Wojciech Kutyla, me të cilët bashkëpunojnë të dyja SAI-t tona”, theksoi z. Leskaj. Ai e ftoi Presidentin Patskan të vizitojë Shqipërinë në 2-3 muajt e ardhshëm, për të diskutuar ide dhe plane të përbashkëta pune.

Marrëvëshja me SAI-n e Ukrainës është e 17-a marrëveshje me SAI-t evropiane simotra që KLSH ka nënshkruar gjatë viteve 2012-2018, duke zgjedhur qasjen e partneritetit të hapur dhe bashkëpunimit konkret e reciprok me institucionet e zhvilluara të auditimit suprem evropian.