KLSH merr pjesë në takimin përmbyllës të auditimit paralel “Cilësia e Ajrit”
25.06.2018
Në datat 19-20 qershor 2018 u zhvillua takimi në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë në Varshavë mbi auditimin evropian të “Cilësisë së Ajrit” i iniciuar nga EUROSAI nën bashkë udhëheqjen e SAI-it (Institucionit Suprem të Auditimit) të Hollandës dhe Polonisë. Në këtë event krahas SAI-ve të Polonisë dhe Holandës morën pjesë edhe SAI-t e Shqipërisë, Bullgarisë, Estonisë, Hungarisë, Izraelit, Kosovës, Maqedonisë, Moldavisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë takim nga z. Artur Hasanbelliu, Drejtor i Auditit të Brendshëm në KLSH, z. Qemal Shehu, Drejtor i Departamentit te Njësive të Qeverisjes Vendore, Aulent Guri, Kryeauditues në Departamentin e Performancës në KLSH dhe z. Ryisim Xhaja, auditues në Departamentin e Njësive të Qeverisjes Vendore. Objektivi kryesor i këtij auditimi në të gjitha vendet pjesëmarrëse ka qenë vlerësimi i masave të ndërmarra për të luftuar ndotjen e ajrit. Takimi ishte i ndarë në dy sesione kryesore. Në sesionin e parë të gjitha vendet pjesëmarrëse prezantuan raportet e tyre final mbi auditimin me temë “Cilësia e Ajrit” që kanë kryer në vendet respektive, shoqëruar me gjetjet dhe rekomandimet më të rëndësishme si dhe impaktin e deritanishëm të auditimeve të “Cilësisë së ajrit”.
Grupi i auditimit të KLSH-së në prezantimin e tyre krahas gjetjeve dhe rekomandimeve u ndal edhe në impaktin e gjerë që ky auditim pati në median e shkruar dhe vizive. Gjithashtu, ky auditim është prezantuar edhe në dy Universitete të ndryshme të vendit tonë. Dita e dytë nisi siparin me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të NIK-ut polak z. Krzysztof Kwiatkowski i cili vlerësoi dhe njëkohësisht falenderoi për punën e bërë të gjitha SAI-t pjesëmarrëse në këtë projekt duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e këtij auditimi në dobi të qytetarëve. Ndër të tjera z. Kwiatkowski theksoi se më shumë se 15.000 njerëz në vit humbin jetën në Poloni si pasojë e ndotjes së ajrit dhe më shumë se 200.000 njerëz në vit vuajnë pasojat e ndotjes së ajrit në gjithë Europën. Më tej vijoi prezantimi “Roli i OJF-ve në mbrojtjen e ajrit” nga z. Andrzej Gula i cili është Drejtues i Organizatës mjedisore në Krakovë “Krakow Smog Alert”. Z. Gula evidentoi problemet kryesore jo vetëm të Krakovës i cili konsiderohet si një nga qytetet më të ndotura në Poloni, por dhe sfidat dhe vështirësitë që hasin organizatat mjedisore në luftën e tyre kundrejt ndotësve të mjedisit. Prezantimi tjetër me temë “Ndërlidhja e pasojave që vijnë nga ndotja e ajrit me sëmundjet kardiovaskulare dhe vdekshmërine e parakohshme” në zonën e Katovicës u mbajt nga Dr. Andrzej Lekston dhe Dr. Aneta Desperak.
Në përfundim të takimit u diskutua me të gjithë audituesit pjesëmarrës mbi Raportin Përfundimtar (Joint Report) që do të publikohet me përmbledhjet e secilit SAI pjesëmarrës në këtë projekt. Me publikimin e “Joint Report” do të synohet të përcillen çështjet më kryesore drejtuar Komisionit dhe Parlamentit Evropian. Ky ishte dhe mesazhi përmbyllës i audituesve holandez.