KLSH merr pjesë në takimin e rishikimit të draft raporteve të auditimit të programit të IDI-it Lufta kundër korrupsionit
31.08.2018
Në datat 6-17 gusht 2018 në Lusaka, Zambia, u zhvillua takimi mbi auditimin e performancës së kuadrit ligjor dhe të implementimit te tij per luftën kundër korrupsionit, i iniciuar nga Iniciativa për Zhvillim (IDI), e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, INTOSAI. Ky takim ishte në vijimësi të takimit me të njëjtën temë të mbajtur ne tetor të vitit 2017 ne Budapest, Hungari.
Qëllimi i programit të Iniciativës Ndërkombëtare për Zhvillim, IDI, i titulluar “Roli i SAI-ve në luftën kundër korrupsionit” është në mbështetje të përpjekjeve të institucioneve anëtare për të prezantuar qasjen e bazuar në integritet në luftën kundër korrupsionit.
Në kuadër të këtij programi, ekspertët nga SAI-t e Shqipërisë, Gjeorgjisë, Xhamajkës, Ishujve Kajman, Kazakistanit, Liberisë, Sierra Leones, Tanzanisë dhe Zambias diskutuan për mënyrën dhe zhvillimin e mjeteve në dispozicion të institucioneve përkatëse për të luftuar korrupsionin.
Në këtë takim vendet pjesëmarrëse paraqitën punën e SAI-ve respektive në kuadër të luftës kundër korrupsionit, përkatësisht gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet qe kishin rezultuar ne përfundim të auditimeve të performancës të kryera mbi këtë problematikë.
Raportet e auditimit të të gjithë pjesëmarrësve iu nënshtruan procedurës Peer Review gjatë të cilës grupet e punës të ngritura nga audituesit pjesëmarrës në takim shqyrtuan përputhshmërinë e planeve të auditimit me standardet ndërkombëtare.
Më konkretisht Peer Review u zhvillua në 7 faza:
• Pjesa e vëzhgimeve të përgjithshme;
• Vëzhgimi i objektivit të auditimit dhe i pyetjeve audituese;
• Fushëveprimi, qasja e auditimit dhe periudha kohore e mbuluar;
• Metodologjia e auditimit, burimi dhe grumbullimi i të dhënave si dhe analiza e tyre;
• Kriteret e auditimit dhe burimet e tyre;
• Gjetjet e auditimit dhe konkluzionet përkatëse.
Në përfundim të kësaj procedure çdo grup dha mendime për përmirësimin e rekomandimeve përkatëse për çdo raport të auditimit të ndërmarrë nga SAI-t pjesëmarrëse.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë takim nga z. Artur Hasanbelliu, Drejtor Drejtorie, z. Gjovalin Preçi, Drejtor Drejtorie dhe znj. Megi Kurrushi, audituese ne Departamentin e Auditimit të Performancës. Përfaqësuesit e KLSH prezantuan raportin e auditimit të performancës me temë “Efektiviteti i Strategjisë Kombëtare Antikorrupsion”.
Në përfundim të aktivitetit u dakordësuan afatet për përcjelljen e raportit të auditimit në subjektet e audituara si dhe u rakorduan afatet për përgatitjen e raportit përfundimtar të auditimit si dhe dërgimi i një kopje tek IDI me qëllimin e përgatitjes së një raporti të përbashkët të të gjithë SAI-ve pjesëmarrëse dhe publikimin e tij nga ana e organizatorëve të këtij projekti.