Njoftime

Prezantimi i Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit z.Bujar Leskaj me ekipin drejtues të KLSH-së.

23.12.2011

Ditën e Premte, datë 23.12.11, u zhvillua në ambientet e  institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ceremonia e prezantimit të zotit Bujar Leskaj me ekipin drejtues të KLSH-së.
Gjatë fjalës përshëndetëse të Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Zoti Edmond Spaho theksoi rolin dhe vlerat që zoti Leskaj mbart si një intelektual i mirëfilltë, pedagog i Universitetit të Tiranës, si dhe vlerësimin maksimal që mori kandidatura e tij nga ana e Kuvendit të Shqipërisë në cilësinë e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Pas ekspozesë së paraqitur mbi punën dhe veprimtarinë e zhvilluar deri me sot nga ish-Kryetari i këtij institucioni, z. Robert Çeku, fjalën e mori Dr. Bujar Leskaj i cili vlerësoi drejtimin  dhe perfomancën institucionale të KLSH-së nga ana e Zotit Çeku, si dhe paraqiti vizionin e tij koherent për KLSH-në, mbi bazën e eksperiencave me të mira të vendeve të BE-së, respektimit rigoroz të standarteve ndërkombëtare të kontrollit, si dhe theksoi thellimin e realizimit të misonit të KLSH në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve në administrimin e pronës  dhe financave publike.
Ndër të tjera Kryetari Leskaj, vuri theksin në intesifikim e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare INTOSAI dhe EUROSAI, me institucionet e larta të kontrollit të BE-së, të vendeve të rajonit dhe në veçanti me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij theksoi nevojën për një përmirësim të mëtejshëm të transparencës në marrëdhëniet me publikun,nëpërmjet një partneriteti të gjerë me median dhe organizatat jo-qeveritare të interesuara për bashkëpunim bilateral.