Startojnë Analizat Vjetore e Drejtorive dhe Departamenteve të Kontrollit në KLSH
13.01.2012
Më datë 13.01.2012, u zhvilluan analizat vjetore të Drejtorisë Juridike dhe Kontrollit të Cilësisë si dhe Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Metodologjisë, ku mori pjesë Kryetari i KLSH-së, z.Bujar LESKAJ dhe Drejtori i Përgjithshëm, z.Robert GJINI.
Në diskutimin e saj mbi aktivitetin dhe veprimtarinë e kësaj Drejtorie, Drejtoresha znj.Elvana TIVARI theksoi se qëllimi i përgjithshëm i punës në kryerjen e detyrave gjatë vitit 2011, ka konsistuar në dhënien e asistencës dhe konsulencës juridike për cilësinë dhe bazueshmërinë ligjore të projektvendimeve dhe Raporteve Përfundimtare të Kontrollit, si dhe komunikimin dhe mbajtjen periodike të marrëdhënieve me Organin e Akuzës, institucionet e interesuara dhe Gjykatat, respektivisht për kallëzimet penale të depozituara nga KLSH.
Një tjetër moment i rëndësishëm për këtë Drejtori, ka qenë kontributi i dhënë në realizimin e detyrimeve të marra përsipër nga KLSH në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim –Asociimit dhe raportimit për masat e marra.
Vëmendje e veçantë gjatë kësaj periudhe i është kushtuar njohjes dhe azhornimit të vazhdueshëm me dispozitat ligjore dhe nënligjore të kontrollorëve si kusht i domosdoshëm në argumentimin e zbulimeve dhe nxjerrjen e konkluzioneve, përgjegjësive dhe rekomandimeve përkatëse.
Sipas zyrtarëve të kësaj Drejtorie, janë bërë dhe vijojnë të bëhen përpjekje për t'i ofruar institucionit shërbime të dobishme në funksion të forcimit të sigurisë për mbështetjen ligjore të konkluzioneve të kontrolleve si dhe bërjen sa me efektive e në përputhje me standardet e procesit kontrollues.
Nga ana e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Metodologjisë për vitin 2011 është zbatuar me përpikmëri e gjithë kolana e detyrave të përcaktuara në Programin e Veprimtarisë institucionale, si në azhornimin e të dhënave për çdo punonjës, përpilimin e kontratave të punës, sistemimin e regjistrit themeltar të punonjësve, si dhe plotësimin e dosjeve përkatëse të tyre.
Një vend të rëndësishëm në prioritetet e punës së kësaj drejtorie ka qenë trajnimi i punonjësve, veçanërisht i stafit të kontrollorëve, në tematika të ndryshme si auditimi financiar, auditimi i performancës, programi IDEA, kontabiliteti publik, etj.
Ndër objektivat dhe synimet kryesore për këtë drejtori për vitin 2012, do të jenë: Zhvillimi i mëtejshëm i kontakteve dhe bashkëpunimit me institucione të tjera si Fakulteti Ekonomisë në UT, Ministria e Financave, Agjencia e Prokurimit Publik, ITAP,etj. Gjithashtu, dhe hartimi i një plani strategjik afatgjatë për trajnimet ku të përcaktohen objektivat dhe prioritetet për çdo departament.
Kryetari Leskaj, pasi aprovoi raportimet dhe diskutimet e të dy Drejtorive theksoi nevojën në marrjen e masave respektive e ndërvepruese me Prokurorinë dhe organizma të tjera shtetëror, në thellimin e luftës ndaj fenomeneve të korrupsionit, pasi konstatohet një ulje e numrit të kallëzimeve penale, gjë që duhet të na angazhojë fuqimisht ne si institucion, por veçanërisht Drejtorinë Juridike që në bashkëpunim dhe sinkronizim me këto institucione të rrisim impaktin tonë ligjor ndaj parandalimit të këtyre fenomeneve.
Po kështu, u nënvizua fakti se duhet punuar akoma më tepër në hartimin e kritereve dhe strategjisë që do të përdoret në procesin e sigurimit të kontrollit të cilësisë nga ana e kësaj Drejtorie.
Gjithashtu, z.Leskaj kërkoi nga ana e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Metodologjisë, zbatimin rigoroz të Kodit të Etikës nga ana e nëpunësve të KLSH-së dhe ndjekjen në ecuri të të gjithë procesit.
Në këtë kontekst, u kërkua kujdes maksimal në procedurat e rekrutimit të personelit, si dhe angazhim të mëtejshëm nga ana e kontrollorëve me përvojë në drejtim të trajnimeve dhe specializimeve të ndryshme, të cilat do t'i shërbejnë rritjes së kapaciteteve kontrolluese dhe veçanërisht në përgatitjen e kontrollorëve të rinj.