Zhvillohet Analiza Vjetore e Departamentit të Kontrollit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
18.01.2012
Më datë 18/01/2012 u zhvillua analiza vjetore e Departamentit të Kontrollit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit, ku morën pjesë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj dhe z.Robert Gjini, Drejtor i Përgjithshëm. Gjithashtu të pranishëm ishin dhe gazetarë të organeve të ndryshme të medias së shkruar, të cilët prej disa ditësh asistojnë në zhvillimet e analizave vjetore të Departamenteve të Kontrollit.
Kryetari Leskaj rivlerësoi edhe një herë rëndësinë që mbartin marrëdhëniet me përfaqësuesit e organeve mediatike në funksion të një partneriteti të qëndrueshëm, i cili i shërben misionit që ka KLSH në parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit dhe abuzimit nga zyrtarë të administratës publike.
Po kështu, Kryetari Leskaj theksoi se nga ana e këtij Departamenti është zhvilluar një punë dhe veprimtari korrekte, e cila mund dhe duhet të ketë një impakt edhe më të prekshëm nga publiku, nëse do të merret eksperienca më e mirë e vendeve të zhvilluara europiane, si dhe të rritet e forcohet bashkëpunimi me Gjykatën Europiane të Llogarive (ECA) në fushën e kontrollit dhe çertifikimit të fondeve e grandeve të lëvruara nga BE.
Gjithashtu, Kryetari Leskaj kritikoi numrin e pakët të kallëzimeve penale që janë bërë nga ana e këtij Departamenti pranë organeve të drejtësisë, si dhe kërkoi një sinergjizim të prioriteteve dhe bashkëpunimeve nga ana e këtij Departamenti me institucionet dhe organet e ndryshme ligjzbatuese. Drejtori i këtij Departamenti, z.Athanas Karaja, në fjalën e tij u ndal në ecurinë e realizimit të planit të kontrollit për vitin 2011, ku janë zhvilluar e kryer 30 kontrolle, nga të cilat 10 në projekte me investime të huaja,14 në shoqëri publike, 5 në ente mjedisore si dhe 1 kontroll në zbatimin e detyrave.
Gjatë aktivitetit kontrollues janë rekomanduar ndryshime dhe përmirësime ligjore, masa organizative, masa administrative, masa disiplinore dhe kallëzime penale.
Në përgjithësi detyrat e rekomanduar nga KLSH, janë vlerësuar nga ana e subjekteve të kontrolluara, duke hartuar programe pune për zbatimin e tyre, nxjerrjen e urdhrave përkatës, si dhe duke njoftuar zbatimin e tyre brenda afatit ligjor institucionin e KLSH-së.
Për vitin 2012 disa nga synimet dhe sfidat kryesore mbeten; rritja e eficiencës së auditimeve financiare në investimet e projektet me financime të huaja, duke u përqendruar në efektueshmërinë e tyre. Veç kësaj do të synohet shtrirja e auditimeve të performancës në investimet e huaja dhe shoqëritë publike, duke kombinuar përbërjen e grupeve të auditimit me kontrollorë të specializuar. Po kështu, gjatë veprimtarisë kontrolluese, kontrollorët do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet e tjera të auditimit me qëllimin e vetëm promovimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të kontakteve dhe raporteve bilaterale në miradministrimin e fondeve publike.