Njoftime

Auditim në METE për koncesionet në krom, bakër dhe hidroenergjetikë.

31.01.2012

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në ditët e para të muajit maj 2012 përfundoi dhe miratoi materialet e auditimit të ushtruar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, lidhur me zbatimin e procedurave për dhënien e pronës publike me koncesion në fushën e bakrit, kromit dhe hidroenergjetikës, për periudhën kohore 01.01.2010 deri më 30.09.2011.

Pa nënvlerësuar punën dhe përpjekjet e bëra, si dhe rezultatet e arritura në fushën e koncensioneve, në auditimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit të Kontratave dhe strukturat vartëse që kanë të bëjnë direkt me to, përkatësisht; AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) dhe ATRAKO (Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve), u konstatuan shkelje dhe mungesë e theksuar bashkëpunimi i tyre me METE dhe mosfunksionim i tyre sipas kërkesave të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi që rregullojnë këto marrëdhënie.

Në auditimin e procedurave konkurruese të zbatuara nga punonjësit respektivë përgjegjës në METE, audituesit e KLSH kanë konstatuar një sërë mangësish proceduriale, duke filluar nga moskryerja e procedurës së negocimit të kontratave sipas ligjit, mosnënshkrimi i dokumenteve nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) dhe deri në veprime fiktive dhe formale nga Njësia e Hartimit të Dokumenteve. Madje, në procedurat e negocimit, nuk është dokumentuar puna e grupit të negocimit me proces verbal apo dokumente të tjera të miratuara, çka ka sjellë si pasojë mospasqyrimin e saktë të punës së KVO dhe të çdo anëtari të tij, por dhe si janë mbrojtur interesat e shtetit dhe respektuar parimet e partneritetit me koncesionarët.

Në disa procedura të përzgjedhjes së operatorëve ekonomik për dhënien e koncesioneve janë konstatuar vendosje të pa argumentuara dhe të tejzgjatura të afateve në kërkesat e vendosura nga Autoriteti Kontraktor (AK) për përfundimin e ndërtimit të objekteve, kjo e konstatuar shpesh në vepra me kapacitet e investim relativisht të vogël. Kjo ka bërë që për HEC-e me fuqi të vogël të instaluar e prodhues të vegjël, ndërtimi dhe vënia në shfrytëzim e tyre, të planifikohet për një periudhë kohore shumëvjeçare.
Në zbatimin e kontratave koncesionare të nënshkruara dhe hyrë në fuqi, janë konstatuar dhe evidentuar shkelje dhe mangësi në respektimin e kushteve të kontratës dhe në plotësimin e tyre, mungesë dokumentacioni tekniko- ekonomik të hartuar nga koncesionarët për investimet e kryera dhe mosplotësim të dokumentacionit ligjor që kërkon kontrata koncesionare. Gjithashtu, janë konstatuar raste të fillimit të punimeve pa leje ndërtimi, paraqitje dokumentesh të pa nënshkruar nga mbikëqyrësi i punimeve, kërkesë ligjore kjo e detyrueshme për përgjegjësinë e raportimeve që bëhen në OSHA (Organi Shtetëror i Autorizuar, e cili pas vitit 2006 quhet AK që është METE).

Cilësojmë se, nga audituesit e KLSH është kryer auditimi për grup koncesionesh ku përfshihen 86 HEC-e, që përkojnë dhe me monitorimet periodike të kryer nga AKBN në tremujorin e dytë e tretë të vitit 2011.
Në këto auditime është konstatuar se: nga koncesionarët mungon vlerësimi i detyrimit ligjor për të bashkëpunuar me Autoritetin Kontraktor (AK) dhe AKBN (organ i specializuar) dhe me subjektet e tjera të autorizuara nga AK për monitorimin e ecurisë së koncesioneve.

Në shumë raste, koncesionarët kanë filluar punimet, pa plotësuar dokumentacionin teknik dhe ekonomiko-financiar, gjë që ka sjellë dhe mungesën e një vlerësimi objektiv e të saktë të realizimit të kushteve të kontratës, veçanërisht të investimeve dhe ecurinë financiare të koncesionarit në raport me aktivitetin ekonomik dhe tatimor të kryer për periudhën përkatëse. Madje, AKBN në mjaft raste ka bërë vlerësim subjektiv të vlerës së investimeve të pa mbështetur në dokumente, si situacione, fatura tatimore, faturat e zhdoganimeve, nënkontrata etj., duke sjellë si pasojë vështirësi serioze në vendosjen e penaliteteve për mosplotësim grafiku të investimeve, apo në përballjen me organet e drejtësisë. Gjithashtu, shumica e koncesionarëve, kanë filluar punimet e ndërtimit pa marrë leje ndërtimi, gjë që përveç moszbatimit të kërkesave të ligjit ka sjellë si pasojë dhe mosvendosjen e penaliteve mbështetur në vlerën e këtyre punimeve, ndërkohë që mbi këto punime të kryera në kundërshtim me ligjin nuk mund të vendosen e llogariten penalitete, pasi janë të pa mbështetura në një objekt vlerësimi të ligjshëm.
Parregullsitë dhe shkeljet e sipërcituara, si dhe mosllogaritja e penaliteteve si pasojë e moszbatimit të kushteve të kontratave në 73 koncesione, kanë shkaktuar mungesë në të ardhurat nga këto koncensione, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 595,146,011 lekë.
Në auditimin e kryer për pagesën e “Fee (tarifë) koncesionare” për energjinë e prodhuar, u konstatua se: 6 koncesionarë për të cilët janë llogaritur fee koncesionare nuk kanë paguar vlerën 11,780,652 lekë, ndërkohë që për 13 koncesionarë të tjerë të cilët ndonëse kanë mbi 2 vjet që kanë filluar nga prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike, nuk disponohej asnjë e dhënë për këtë pagesë në masën 2-5 për qind të energjisë së prodhuar në favor të METE.
Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i pasqyrave financiare të kompanive koncesionare të dorëzuara pranë AKBN, rezulton se disa prej tyre nuk kanë kryer asnjë investim (nuk i kanë të paraqitura në bilance vlerat e investuara si për investime dhe makineri e pajisje), në një kohë që realiteti është ndryshe. Në këto raste, të gjitha punimet dhe investimet e kryera janë pa dokumentacion të rregullt ligjor si situacione, fatura tatimore dhe për pajisjet faturat e zhdoganimeve, pra mosadministrimi i dokumentacionit ekonomiko-financiar dhe teknik nga koncesionari, ka sjellë si pasojë mos dokumentimin dhe mos llogaritjen e saktë të investimeve të kryera në fakt dhe raportimin e zbatimit të kushteve të kontratës.
Për më keq, të gjithë konçesionarët, nuk kanë paraqitur informacion mbi realizimin e investimeve në vlerë, bazuar me situacione, fatura tatimore dhe doganore, po kështu nuk kanë paraqitur procesverbalet e fillimit të punimeve, dokumentet teknike dhe ekonomike nuk janë nënshkruar nga mbikëqyrësit e punimeve, si personi direkt përgjegjës ligjërisht për zbatimin e kushteve teknike në ndërtimin e HEC-ve, çka ka sjellë mosvlerësimin në shumë raste të vlerës së investimit të kryer, për rrjedhojë, pamundësinë e llogaritjes së penaliteteve nga METE si Autoriteti Kontraktor për moszbatimin e marrëveshjes koncesionare.
Theksojmë se, për 30 HEC-e në METE nuk disponohet asnjë lloj dokumentacioni ekonomik, megjithëse disa prej tyre janë në faza të ndryshme punimesh, duke vepruar kështu në kundërshtim me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, i ndryshuar dhe me kontratat e nënshkruara ndërmjet shoqërive private fituese në konkurim dhe AK.

Lidhur me kërkesën e koncesionarëve për shtyrjen e afatit të përfundimit të ndërtimit të HEC-eve, ka rezultuar se është bërë me miratim me shkresë nga titullari, por pa kontratë shtesë, në kundërshtim me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, i ndryshuar, neni 28, paragrafi 2 dhe me VKM nr. 448, datë 16.06.2010 “Për disa shtesa në VKM nr. 27, datë 19.01.2007 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”, i ndryshuar, pika 1, paragrafi 5. Ndonëse, duhet të cilësohet se në mjaft raste, shkresat e miratimit nga Ministri për shtyrjen e afatit të ndërtimit të HEC-eve, kanë mbetur miratime në letër, pa marrë fuqi ligjore, madje dhe në përballjen në organet e drejtësisë ose me institucionet bankare për financim, pasi bien në kundërshtim me nenet e kontratës dhe me kërkesat ligjore të përcaktuara.
Nga auditimi i ushtruar mbi llogaritjen dhe pagesën e detyrimeve që rrjedhin nga përfitimi i metaleve si ar, argjend e ndonjë tjetër, është konstatuar mungesë e plotë e dokumentacionit mbi përcaktimin dhe pagesën e rentës minerare për elementët shoqërues të bakrit në koncentrat dhe të kromit, siç janë ari, argjendi, bakri, seleni dhe teluri, gjë që ka ardhur kryesisht nga mosfunksionimi i grupit ndërdikasterial të ngritur me ligj.
Si pasojë e mangësive, parregullsive dhe shkeljeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi të sipërcituara, Grupi i Auditimit të KLSH në auditimin e dhënies së pronës publike me koncesion në fushën e bakrit dhe në hidroenergjetikë, ka konstatuar gjithsej një efekt negativ financiar në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 1,838,534,798 lekë, dhe konkretisht:

1. Nga moszbatimi i kushteve të kontratave koncesionare, nga 126 kontrata të audituara, rezultuan me shkelje të ndryshme 84 prej tyre, ndërkohë që në 24 kontrata u konstatuan mosllogaritje dhe mosarkëtim të penaliteteve me pasojë dëm ekonomik në vlerë 595,146,011 lekë.
2. Nga mosarkëtimi i Fee Koncesionare nga koncesionerët që kanë shitur në KESH sh.a. prodhimin e energjisë dëmi ekonomik llogaritet në vlerën 11,780,652 lekë.
3. Nga mosarkëtimi i sigurimit të ofertës, llogaritet një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në shumën 860,000 euro ose 108,633,516 lekë. Kurse, nga mossigurimi i aseteve mungesa e të ardhurave llogaritet në shumën 92,443 USD ose 9,244,300 lekë.
4. Gjithashtu, nga mosimplementimi i VKM nr. 150, datë 22.03.2007 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve” (mospagesë e tarifës ATRAKO-s), mungesa e të ardhurave llogaritet në vlerën 1,113,730,319 lekë.

Bazuar në nenet 9 dhe 16 të ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka rekomanduar një sërë masash të karakterit të ndryshimit apo përputhjes së dispozitave ligjore në fuqi, të shpërblimit të dëmit të shkaktuar, masa organizative, administrative dhe disiplinore dhe konkretisht:

I. Në bashkëpunim me strukturat përkatëse në METE u përgatitën amendimet përkatëse për mënjanimin e vakumit ligjor të konstatuar në VKM nr.150, datë 22.03.2007 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve” dhe VKM nr. 104, datë 28.02.2007 “Për një shtesë në VKM nr. 27, datë 10.01.2007 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”, me synim harmonizimin e tyre me përcaktimet në ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për Konçesionet” i ndryshuar. Gjithmonë, duke ruajtur raportin e partneritetit dhe mosushtrimin e detyrimeve të tepërta e të pa argumentuara ndaj biznesit të interesuar për pjesëmarrje në këto procedura konkurrimi.
II. Janë rekomanduar për zbatim 23 masa organizative, ku ndër to përmendim:
II.1 Ngritjen e një grupi pune me qëllim hartimin e një Udhëzimi të veçantë mbi procedurën e transferimit të kuotave (shitje aksione), dokumentacionin e nevojshëm që duhet të paraqesë një subjekt, krijimin e një komisioni vlerësimi të dokumenteve dhe kapaciteteve ekonomiko-financiare dhe tekniko-juridike.
II.2 Në bashkëpunim me Ministrinë e Financës, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ngritjen e një grupi pune për përgatitjen e akteve nënligjore dhe udhëzimeve tekniko-ekonomike mbi llogaritjen dhe pagesën e detyrimeve ndaj shtetit për elementët shoqërues të koncentratit dhe mineraleve të tjera, duke i trajtuar si pasuri kombëtare.
II.3 Në përllogaritjet e rentës minerare të koncentratit të bakrit (sipas faturës së shitjes), të merret për bazë përfshirja në të e vlerës së metaleve të çmuara dhe zbritja e çmimit për shkak të përmbajtjes së elementëve të dëmshëm për shkrirje si Zn, As,....etj.
II.4 Të rishikohet Rregullorja e ATRAKO për harmonizimin me aktet e reja ligjore të dala për mirfunksionimin dhe vënien në eficiencë të plotë të kësaj strukture.
II.5 Në përputhshmëri të plotë me nenin 19, të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet” i ndryshuar dhe VKM nr. 27, datë 18.01.2007, të përcaktohet qartë dhe saktë përdorimi në llogaritje të “Tarifës koncesionare” dhe termit “Vlera e pagave (royalities)” në kriteret e vlerësimit apo në momentin e marrjes së koncesionit, duke bërë dhe amendime shtesë të këtij akti nënligjor.
II.6 Të nxirret përgjegjësia dhe të merren masa për të gjitha koncesionet me qëllim evitimin e shkeljeve të marrëveshjeve dhe legjislacionit shqiptar, duke detyruar koncesionarët të paguajnë sigurimet në shoqëritë e sigurimit të liçensuara nga AMF dhe subjekte që kanë juridiksion tregtar e ligjor në Shqipëri.
II.7 Nga shoqëritë koncesionare të kërkohet që, të paraqesin bilancet ekonomiko-financiar në METE dhe në AKBN (sipas autorizimit). Të vlerësohen investimet me dokumentacion ekonomik shoqërues si: situacione të konfirmuara nga DPT për punimet e kryera, faturat e zhdoganimit për pajisjet dhe makineritë e marra nga importi, faturat tatimore të blerjeve të makinerive brenda vendit dhe për punimet e kryera nga të tretët.
II.8 Të ngrihet grup pune për hartimin e një Udhëzimi të veçantë të ministrit, në të cilin krahas detyrave dhe detyrimeve të AKBN, të përcaktohet qartë detyrimi ligjor i koncesionarëve për bashkëpunimin dhe dorëzimin e dokumenteve në AKBN, duke vënë theksin në dokumentimin e investimeve dhe vlerësimin tekniko ekonomik të koncesionit, si organ i specializuar dhe me burime njerëzore të mjaftueshme.
II.9 METE, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit dhe me koncesionarin të kryejnë rivlerësimin e Marrëveshjes koncesionare për dhënien me koncesion të Minierës Kalimash, Kukës e Has, ku të argumentohet domosdoshmëria e ndryshimit të atyre neneve të marrëveshjes koncesionare të cilët cënojnë interesat e shtetit dhe dëmtojnë pasurinë kombëtare.
II.10 METE në bashkëpunim me AKBN të organizojnë aktivitete trajnimi, ku të sqarohen në mënyrë të detajuar aktet ligjore e nënligjore në fuqi “Për koncesionet”, mënyra e informimit të AK dhe AKBN, bashkëpunimi me njëri tjetrin, si edhe dokumentacioni që duhet të shoqërojë në mënyrë periodike informacionet, kryesisht atë tekniko ekonomiko dhe financiar.
II.11 METE, të rishikojë Rregulloren e AKBN dhe të bëjë riorganizimin për mirfunksionimin dhe vënien në eficiencë të plotë të kësaj agjencie sipas kërkesave ligjore, si dhe të përcaktohen drejt të drejtat dhe detyrimet e saj.
II.12 Të merren masa nga AKBN dhe METE, për të krijuar një bazë të dhënash elektronike (data base) për koncesionet, gjithashtu, të përcaktohen: afatet e detyruara për monitorim; lloji i dokumenteve të konstatimeve në terren gjatë monitorimit dhe pasqyrimin e saktë të situatës së koncesioneve.
II.13 Të ngrihet brenda strukturës së AKBN një bord vlerësimi i koncesioneve i cili duhet të nxjerrë vlerësime për gjendjen e tyre dhe të japë rekomandime për koncesionarët mbi përmbushjen sa më mirë të detyrimeve kontraktuale.
II.14 Në dokumentat standard të koncesioneve të hartuara nga AK, të vendoset dhe të vlerësohet me pikë, si kusht kualifikimi, lloji dhe vlera e makinerive e pajisjeve, si tregues që ndikon në vlerësimin përfundimtar të ofertës dhe në realizimin në afat sa më të shkurtër të veprave hidroenergjetike, në përputhje me programin strategjik të METE.
II.15 Drejtoria Energjetike në METE në bashkëpunim me KESH sh.a., të marrë masa për evidentimin dhe llogaritjen e “Fee Koncesionare” për kontrata të cilat kanë filluar prodhimin, të kërkojnë arkëtimin menjëherë të detyrimeve të rezultuara dhe kryerjen e pagesës në buxhet nga KESH sh.a. Pra, të ndërmeren hapat ligjorë për ta vendosur KESH sh.a. në rolin e agjentit të mbledhjes së fee koncesionare (para=energji) dhe derdhjen e tij në buxhet.
II.16 Të ndërpriten miratimet e shtesave të afatit apo ndërhyrjeve të tjera në kontratat koncesionare, pa zbatuar procedurën juridike të caktuar (kontrata ndryshohet me kontratë shtesë). Të përgatiten e nënshkruhen nga të dy palët kontrata shtesë dhe të miratohen nga Ministri, Këshilli i Ministrave ose Kuvendi, sipas kompetencave ligjore që kanë kontratat fillestare të koncesioneve të cilave ju është miratuar shtesë afati kontrate me shkresë nga titullari i AK etj.
III. Për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar, kemi rekomanduar që METE të saktësojë llogaritjet e penalieteteve dhe të zbatojë të gjitha procedurat ligjore për të kërkuar nga 24 shoqëri koncesionare arkëtimin e dëmit ekonomik të konstatuar në vlerën 595,146,011 lekë.
Gjithashtu, nga 19 shoqëri koncesionare, në zbatim të nenit 19, të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet” i ndryshuar, në të cilën përcaktohet “vlera e tarifave dhe e çmimeve për njësi të propozuara dhe pagesa të tjera gjatë periudhës koncesionare” dhe neni 16 “tarifa koncesionare”, të ndërmerren hapat respektivë ligjore për arkëtimin e vlerës 11,780,652 lekë, si diferencë e pa arkëtuar e “Fee koncesionare” dhe detyrimet e pa llogaritura e të pa arkëtuara.
IV. Për masat disiplinore, për punonjësit shkaktarë përgjegjës për mangësitë, parregullsitë dhe shkeljet ligjore të konstatuara dhe pasqyruara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, KLSH i ka rekomanduar METE që, mbështetur në nenin 25, të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, në pikat 1 e 2 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 306, datë 13.06.2000 “Për disiplinën në shërbimin civil”, dhe në nenin 26/1, të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për Konçesionet” me ndryshime, të fillojë procedurat ligjore për dhënien e masës disiplinore:

IV.1 “Largim nga shërbimi civil” për 6 punonjës, nga të cilët dy janë punonjës aktualë.
IV.2 “Ulje në detyrë për 1 vit” për 3 punonjës, nga të cilët njëri Drejtor Drejtorie.
IV.3 “Vërejtje me shkrim” për 14 punonjës, nga të cilët 5 me detyrë Drejtor.
Gjithashtu, KLSH ka kërkuar nga METE të njoftojë Departamentin e Administratës Publike që 4 punonjës shkaktarë përgjegjës, të cilët aktualisht rezultojnë të larguar nga puna, nga të cilët 2 ish Drejtorë përkatësisht për Projektet dhe Bashkëpunimin Ekonomik, si dhe për Menaxhimin e Projekteve), meritojnë masë disiplinore “Largim nga shërbimi civil”.
V. Për shkeljet financiare me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, për personat shkaktarë përgjegjës të niveleve të ndryshme drejtuese, kemi përgatitur dhe dërguar dy kallëzime penale në organet e prokurorisë për 5 punonjës për një vlerë dëmi prej 595,146,011 lekë, respektivisht 1 Drejtor i Përgjithshëm, 1 Drejtor Drejtorie, 2 përgjegjësa sektori dhe 1 specialist.