Auditori i Përgjithshëm i Kosovës viziton KLSH-në.
13.02.2012
Me ftesë të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, një delegacion i nivelit të lartë i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga z. Lars Lage Olofsson, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, vizitë e cila zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit me homologun kosovar, Kryetari i KLSH-së, z.Leskaj e njohu z.Olofsson me një ekspoze të detajuar të hapave historike të zhvillimeve institucionale, ku një vend të veçantë zë dhe strategjia e mbështetur në projekt-iden, në të cilën përfshihet vizioni koherent mbi modernizimin e institucionit të KLSH-së, si dhe me punën voluminoze që kontrollorët ushtrojnë në performimin e detyrimeve të tyre kushtetuese.
Gjithashtu, z.Leskaj, vuri në dukje përpjekjet dhe reformat e ndërmarra në konsolidimin e institucionit, si dhe pasurimin e mëtejshëm te kuadrit të tij ligjor e institucional, si dhe mundësinë për të asistuar në integrimin e institucionit kosovar në strukturat ndërkombëtare audituese.
Nga ana tjetër z.Olofsson, gjatë fjalës së tij shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që ndodhej në Tiranë, si dhe prezantoi etapat kryesore të veprimtarisë së Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, e cila është në hapat e saj të parë dhe përpjekjet që po ndërmerren, si në rekrutimin e personelit auditues ashtu dhe në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit.
Të dy titullarët respektivë u shprehën se kjo vizitë do të konsistojë me konkretiziminin më nga afër të bashkëpunimit reciprok ndërmjet dy institucioneve në hartimin e strategjive të bashkëpunimit rajonal, duke patur si prioritar zhvillimin e dialogut në shprehjen e nevojave institucionale, si dhe shkëmbimin e eksperiencave nëpërmjet institucioneve fqinje.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, i kryesuar nga z.Lage Olofsson do të zhvillojë takime pune me stafin e institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe do të nënshkruajnë Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet të dy institucioneve