Njoftime

KLSH: marrëveshje me SAI-n e Polonisë

17.02.2012

Më datën 23 maj, në Varshavë të Polonisë, z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me homologun e tij, Presidentin e Zyrës polake të Auditimit Suprem (NIK), z. Jacek Jazierski. Marrëveshja u nënshkrua në prani të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Poloni, z. Florent Çeliku.

Marrëveshja prodhoi rivitalizim të marrëveshjes së mëparshme të viteve 2006-2009. Ajo u përgatit  në bazë të parimeve të përbashkëta të respektit, besimit dhe bashkëpunimit  dypalësh të  Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të Auditimit Suprem (INTOSAI) si edhe të Organizates Europiane të Institucioneve të Auditimit Suprem (EUROSAI).
Dokumenti i nënshkruar është me shumë vlera për KLSH-në. Institucioni Suprem i Auditimit në Poloni është modern, një ndër institucionet më të mëdha dhe profesionale në Evropë. Presidenti i tij z. Jazierski ka qenë deri në fund të vitit të kaluar President i EUROSAI dhe përfaqëson një nga figurat më të njohura në komunitetin e auditimit suprem.  
 
Nëpërmjet mbështetjes së parashikuar në marrëveshje, KLSH dhe Zyra e Auditimit Suprem e Polonisë do të shkëmbejnë eksperiencë në veprimtarinë e tyre audituese. Në fillim të korrikut 2012, një grup prej 10-15 audituesish nga KLSH do të trajnohen për auditimin e performancës në Qendrën e Trajnimeve të NIK në Poloni, ndërsa në shtator ekspertë të metodologjisë anti-korrupsion në institucionin polak të auditimit priten të vijnë për një aktivitet të përbashkët në Tiranë.