Njoftime

Z.Bujar LESKAJ zhvillon një takim me përfaqësues të SIGMA-s.

25.02.2012

Z.Bujar LESKAJ priti në një takim z. Joop VROLIJK dhe z. Jan Pieter LINGEN, përfaqësues të SIGMA-s, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadrin e përpilimit të raportit vlerësues për KLSH, për vitin 2011.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e SIGMA-s, z.Leskaj shprehu falënderimet dhe vlerësimin e tij për raportet e hartuara dhe për mbështetjen që SIGMA i ka dhënë KLSH-së gjatë këtyre viteve si dhe theksoi se ky bashkëpunim do të forcohej më shumë gjatë mandatit të tij si Kryetar i KLSH-së. Z.Leskaj, paraqiti një ekspoze të përgjithshme të objektivave dhe u ndal në disa prej pikave kyçe lidhur me situatën në KLSH, duke theksuar si më të rëndësishme çështjen e reformës ligjore dhe të ndryshimit të ambienteve për KLSH-në.

Z.Leskaj u dorëzoi të dy përfaqësuesve të SIGMA-s, kopjen në anglisht të Projekt-Idesë së paraqitur prej tij në Komisionin e Ekonomisë dhe të ripunuar me stafin e KLSH-së, e cila do të shërbejë si një bazë për krijimin e Planit të ardhshëm Strategjik të institucionit, 2013-2015, ku sigurisht do të jetë vendimtare edhe mbështetja dhe sugjerimet dhënë nga SIGMA. Mbështetjen e SIGMA-s, z.Leskaj e konsideroi si mjaft të rëndësishme edhe për përftimin nga KLSH-ja të projekteve të binjakëzimit në të ardhmen, me qëllim rritjen profesionale të institucionit dhe thithjen e eksperiencave më të mira.

Përfaqësuesit e SIGMA-s e falënderuan nga ana e tyre z.Leskaj për mikpritjen dhe për dhënien e Projekt-Idesë. Ata theksuan se mbështetja e SIGMA-s do të ishte e plotë për KLSH-në si në drejtim të mendimeve apo sugjerimeve, në këtë rast për reformën ligjore, por edhe konkrete, në zhvillimin e trajnimeve apo projekteve të binjakëzimit, me qëllim rritjen e kapaciteteve të institucionit.