Bashkëpunim me OJF-të që luftojnë korrupsionin
16.04.2012
Më datën 16. 04. 2012, në ambientet e KLSH, u zhvillua një takim me disa nga organizatat e pavarura (OJF-të) më të spikatura të vendit në luftën kundër korrupsionit, dhe përkatësisht me lëvizjen “Alternativa Civile”, drejtuar nga z. Mentor Kikia; me “Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë”, drejtuar nga z. Sami Neza; me “Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim”, drejtuar nga z. Sotiraq Hroni; me “Transparency Internacional Shqipëri”, drejtuar nga z. Lutfi Dervishi dhe me “Lëvizjen Evropiane Shqipëri”, drejtuar nga z. Gledis Gjipali, me të cilët u bisedua për një bashkëpunim serioz e të vazhdueshëm për të luftuar me efikasitet korrupsionin, me moton e INTOSAI-t “ Experentia mutual ominibus prodest” (Eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve).
Qëllimi i kësaj tryeze pune, siç u shpreh Kryetari i KLSH-së, do të jetë aplikimi i menjëhershëm i një strategjie të re, lidhur me transparencën e luftës kundër korrupsionit në institucionet e qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, strategji në bashkëpunim edhe me organizatat jo-qeveritare, individët apo institucionet e tjera shtetërore.
Për sfidat e kohës, shtoi Kryetar i KLSH-së, prania e krizës në eurozonë dhe kërkesat për një disiplinë të hekurt dhe mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor të shtetit, kërkojnë me forcë një institucion modern, të aftë të përdorë me ekonomi, efektivitet dhe efiçiencë burimet e tij. Pritshmëria e qytetarëve është e lartë, pse KLSH-ja, në rolin e tij kushtetuesi institucioni më i lartë i kontrollit është avokati i interesave të qytetarëve për miradministrimin e pronës publike, për performancën e duhur të administratës shtetërore dhe për luftën efikase kundër korrupsionit.
Përfaqësuesit e organizatave pjesëmarrëse në këtë takim propozuan forma të ndryshme të realizimit të këtij bashkëpunimin, ide të cilat do të gjejnë zbatim në një strategji të përbashkët pune. Përfaqësuesit e shoqërisë civile shprehën besim se kjo ftesë e Kryetarit të KLSH-së, z. Bujar Leskaj patjetër që do të krijojë risi në luftën kundër korrupsionit dhe rezultate të pritshme. Së shpejti kjo strategji do të kthehet në Memorandume Bashkëpunimi me vlerë për efiçiencën e punës dhe misionit kushtetues të Kontrollit të Lartë të Shtetit.