Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi analizën 6-mujore
05.08.2012
Në datat 30, 31 korrik dhe 1 gusht Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi analizën 6-mujore në ambientet e Hotel Vlora Internacional, në qytetin e Vlorës në respekt të qytetit të pavarësisë dhe 100-vjetorit të shtetit të parë shqiptar.
Mënyra e organizimit të kësaj analize, e hapur për median dhe inkurajuese për debatin profesional me vlerësime për atë çfarë është bërë mire dhe si duhet të bëhet më mirë, ishte një risi për institucionin. Forma e organizimit është marrë nga Zyra e Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës, e drejtuar nga Z. Lars Lage Olofsson, një personalitet në fushën e auditimit.
Ditën e parë, më 30 korrik, diskutimin kryesor e mbajti Kryetari, Z. Bujar Leskaj i cili paraqiti arritjet e institucionit gjatë periudhës janar – korrik 2012 si dhe sfidat e KLSH-së në 6-mujorin e dytë të 2012-tës, duke vënë theksin tek veprimtaria audituese si dhe marrëdhëniet e KLSH-së me institucionet e tjera homologe ndërkombëtare dhe ato brenda vendit puna dhe qëllimi i të cilave ndërthuret me atë të KLSH-së. Më pas analiza vazhdoi me raportet e dy drejtorëve të përgjithshëm, Z. Rober Gjini dhe Zj. Helga Vukaj. Ata reflektuan më në detaje mbi punën e departamenteve të auditimit që respektivisht drejtojnë, duke vënë theksin tek raportet e deritanishme të auditimit, përfshirë gjetjet, rekomandimet, masat, proceset gjyqësore, ndjekja e ankesave, konkluzionet, ndjekja e rekomandimeve, etj.
Ditën e dytë, më 31 korrik, drejtuesit e departamenteve të auditimit, përkatësisht Z. Ded Trieshi, Z. Pëllumb Beqiraj, Z. Aleksandër Lipivani dhe Z. Athanas Karaja prezantuan analizën e secilit departament duke u ndalur tek arritjet, problematikat dhe sfidat e punës së tyre. Ata prezantuan gjithashtu të dhëna reale nga raportet e KLSH-së për 6-muajt e parë të vitit 2012.
Për Drejtorinë Juridike analizën e 6-mujorit e prezantoi juristi me përvojë Z. Koço Sokoli, i cili vuri theksin tek proceset gjyqësore dhe bashkëpunimin me departamentet e tjerë për çështjet juridike dhe gjithashtu pjesën juridike të kallëzimeve penale të institucionit.
Gjithashtu ditën e dytë Zj. Luljeta Nano, Kryeaudituese, prezantoi materialin me temë “Menaxhimi Financiar dhe Kontrolli”, i cili u pasua nga një prezantim i ekspertit të jashtëm Gjon Ndreaj me temë “Kontrolli i Lartë i Shtetit në Sytë e një Eksperti të Jashtëm”
Më pas u vazhdua me prezantimet e punës në grupe. Motoja e kësaj pjese të analizës ishte se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë. Audituesit e institucionit u ndanë në 13 grupe në bazë të kritereve të grupimit si përvoja, eksperienca dhe fusha në të cilën audituesit janë specializuar dhe sipas departamenteve. Përmendim: grupin e auditimit të ministrive dhe institucioneve, të prokurimeve, të organeve tatimore, doganore, të njësive të qeverisjes vendore, grupi i mbrojtjes se mjedisit, financimeve te huaja, shoqërive publike etj. Në kushtet e rritjes së ndërgjegjshmërisë, llogari-dhënies dhe transparencës çdo auditues ishte pjesëmarrës proaktiv dhe kontribues gjatë gjithë kësaj faze të analizës.
Në ditën e tretë, më 1 gusht prezantimi i parë u bë nga Zj. Elfrida Taraku dhe Z. Bajram Lamaj, mbi auditimin e performancës si domosdoshmëri për shtimin e vlerës së parasë. Ky prezantim ishte frut i përvojës së përfituar në trajnimin mbi auditimin e performancës të zhvilluar në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë, NIK.
Çdo prezantim i kësaj analize u shoqërua me pyetje, sugjerime dhe diskutime për të sjellë në vëmendjen e të gjithëve arritjet dhe sfidat e secilit departament. Në fund të aktivitetit, Kryetari i KLSH-së, Z. Bujar Leskaj paraqiti konkluzionet dhe drejtimet kryesore të punës për muajt në vazhdim të vitit 2012, duke falenderuar në të njëjtën kohë pjesëmarrësit, përfaqësuesit e medias që e paraqitën drejtpërdrejt këtë aktivitet si dhe qytetin mikpritës të Vlorës.