KLSH, pjesmarrëse në takimin e 15-të, të grupit të punës për mjedisin i INTOSAI-t
10.06.2013
Nga data 3-6 qershor në Tallinn, Estoni u zhvillua takimi i 15-të, i grupit të punës për mjedisin i INTOSAI-t. Pjesë e këtij takimi ishte dhe delegacioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i përbërë nga zj. Helga Vukaj Drejtor i Përgjithshëm, zj. Mimoza Lloji K/Audituese, zj. Albana Pengili K/Audituese, zj. Ermira Vojka Audituese.
Gjatë këtij takimi u diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme që pasqyronin punën në vite, si:
•Përfundimet e takimit të Rio-s + 20 për ndryshimet klimaterike,nga Andres Tarand politikan dhe anëtar i Parlamentit Europian;
•Ndikimi i takimit të Rio-s + 20 dhe çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm në Estoni, nga Keit Pentus-Rosimannus, Ministre e Mjedisit të Estonisë;
•E ardhmja e çështjeve të mjedisit pas takimit të Rio-s +20, nga Arnold Kreinlhuber, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin;
•Aprovimi i planit të punës për vitet 2014-2016;
•Prezantimi i rezultateve të pyetësorit të 7-të të kryer nga WGEA për auditimet mjedisore që çdo SAI kryen;
•Sinergjizimi midis auditimit të adaptimeve klimaterike dhe auditimit të parandalimit të fatkeqësive natyrore nga Gijs de Vries anëtar i Gjykatës Europiane të Llogarive; i cili ishte një prezantim mjaft interesant ku u theksua rëndësia që kanë auditimet e parandalimit të fatkeqësive natyrore në uljen e kostove dhe dëmeve.
•Prezantime të bëra nga SAI të ndryshme në lidhje me historitë e suksesit apo sfidat në auditimin e çështjeve që kanë lidhje direkte apo indirekte me mjedisin.
Prezantime të tilla u kryen nga SAI i Indonezisë, Irakut, Maltës, Estonisë, Francës, Malajzisë, Rumanisë etj. E përbashkëta e të gjitha këtyre prezantimeve ishte se me të gjitha vështirësitë që hasin si pasojë e paqartësive të ligjit për veprimtarinë e SAI-t (nuk është shprehur qartë në ligj mandati i SAI-t për auditimet e mjedisit), për mungesë ose pamjaftueshmëri të të dhënave të besueshme, të ekspertëve të jashtëm, etj., ato kanë sjellë ndikim pozitiv në mjedis dhe janë mirëpritur nga palët e interesuara.
Çështje tjetër e rëndësishme ishin dhe sesionet paralele me tema të ndryshme përkatësisht;
•Auditimi i problemeve të ujit nga GAO e SHBA-së
•Të dhënat për mjedisin nga SAI i Kanadasë
•Mashtrimi dhe korrupsioni nga SAI i Norvegjisë
•Ruajtja e pyjeve natyrale, kafshëve që jetojnë në to dhe turizmi nga SAI i Tanzanisë.
Problemet e mjedisit të lidhura me infrastrukturën nga SAI i Britanisë së Madhe Grupi i KLSH-së mori pjesë:
1.Në sesionin e drejtuar nga z. Steven Elstein (GAO e ShBA-së), për auditimin e problemeve të ujit.
2.Çështjet e mjedisit të lidhura me infrastrukturën drejtuar nga zj. Jill Goldsmith (NAO e Britanisë), me pjesëmarrjen e SAI-ve të Estonisë, Zelandës së Re, Koresë së Jugut etj.